Muxhahedinët dyshohet se sulmuan Iranin nga Shqipëria, hakerat kishin shfaqur foton e lideres së MEK
Muxhahedinët e strehuar në vendin tonë dyshohet të kenë kryer sulme kibernetike në disa periudha të ndryshme kohore kundër Iranit. Hakerat kishin arritur të hynin në disa faqe online të qeverisë së Teheranit duke publikuar qindra dokumente qeveritare. Në të gjitha faqet e hakuara, hakerat kishin shfaqur foton e lideres së MEK, Maryam Rajavi, si dhe fotot e liderit suprem të Iranit, Ali Khamenei, dhe presidentit Raisi, me kryq të kuq mbi ta.
Pjesë nga vendimi i gjykatës
Në kushtet ku ka dyshime të arsyeshme se organizata MEK nga territori i Republikës së Shqipërisë ka kryer sulme kibernetike ndaj Republikës Islamike të Iranit në disa periudha të ndryshme kohore dhe drejt disa institucioneve të shtetit të Iranit.
Duke qenë se statusi i qëndrimit të organizatës MEK në Shqipëri është humanitar, Republika Islamike e Iranit në vazhdimësi ka pretenduar duke ngritur këto dyshime si dhe në mënyrë të vazhdueshme kërcënon se do të ndërmarrë sulme ndaj Shqipërisë dhe organizatës MEK. Po ashtu, Republika Islamike e Iranit ka kryer sulme kibernetike ndaj Republikës së Shqipërisë përpara disa kohësh, gjë e cila ka cenuar seriozisht sigurinë kibernetike dhe integritetin kibernetik të shtetit shqiptar.
Me qëllim gjetjen e serverëve apo pajisjeve të tjera kompjuterike që mund të jenë përdorur për sulmet kibernetike nga territori i Republikës së Shqipërisë është e domosdoshme kryerja e kontrollit në vendqëndrimin e pjesëtarëve të organizatës MEK në Durrës, Shqipëri.
Në rastin konkret, nga hetimet e deritanishme dhe të dhënat e referuara nga ana e policisë gjyqësore rezulton se ka dyshime për faktin se pjesëtarë të organizatës Mek me vendqëndrim në Manëz, Durrës, Shqipëri, janë të përfshirë në aktivitet kriminal të terrorizmit dhe financimit të terrorizmit. Për këto arsye, kjo gjykatë çmon si të drejtë dhe të bazuar në ligj kërkesën e prokurorit për lejimin e kontrollit të ambienteve të sipërcituara.