“Na votoni, t’iu bëjmë vaksinën”, Vokshi denoncon live: Zyrat e qeverisë punojnë pas orës 20:00
Kandidatja e PD në Qarkun e Tiranës, Albana Vokshi, foli në rubrikën “Opinion”, në News24, për fushatën elektorale, prej ku tha se deri më tani vetëm opozita ka shfaqur një program, ndërsa PS dhe Edi Rama, sipas saj, vetëm fyen, shan e kritikon.
Sipas Vokshit, njerëzit i presin me dyert hapur opozitarët dhe janë shumë të interesuar për alternativën e PD.
Mes të tjerash, Vokshi denoncoi se zyrat me stafin e Ministrisë së Shëndetësisë rrinë hapur edhe pas orës 20:00, kur vendi hyn karantinë, ndërsa theksoi se ata telefonojnë qytetarët dhe iu thonë se “na jepni votë, që t’iu bëjmë vaksinën”.
“Është atmosferë shumë e mirë, na presin shumë mirë, kudo ku shkojmë dyert janë të hapura, cdo qytetar është shumë i interesuar për alternativën e PD. Bizneset janë shumë të interesuar për planin e PD. Rama vazhdon me fyerje, sulme e kritika, vetëm PD ka shfaqur plan. Sytë e çdo qytetari shqiptar janë te PD dhe Aleanca për Ndryshim. Kudo ka frymë, te çdo qytetar, të majtë, të djathtë, pa parti, kërkon ndryshim. Ky ndryshim do të vijë, duke plotësuar të gjitha kushtet që Shqipëria të jetë pjesë e BE. Pritëm 8 vjet për këtë. Në 2013 kishim vetëm 3 kushte për anëtarësimin në BE, sot kemi 16 kushte. Jo vetëm që nuk kemi bërë asnjë hap përpara, por kemi bërë shumë hapa pas. Çdo gjë që ka qenë në dorë të opozitës dhe PD, është ndërmarrë, gjithçka që nuk është bërë, por është thelluar më tej, ka qenë në dorë të Ramës dhe keqqeverisjes. Asnjë shqiptar sot nuk pret nga Edi Rama që të përmirësojë e ndryshojë jetët e tyre, që të bëjë qoftë dhe një hap përpara drejt BE. Gjithkush pret një alternativë tjetër ndryshimi. Ju i ndiqni fushatat dhe e shihni sa ndryshe janë ato të Ramës dhe të opozitës. Ne shkojmë derë më derë, ju shpjegojmë alternativën e ndryshimit, si do ndryshojë, pse dhe ku, sepse programi i PD është i prekshëm, është bazuar mbi analizën e situatës, dhe ka vënë afate të qarta, që të realizohen sa më parë. A keni parë ju që të trokasin derë më derë ministrat, nuk dalin ditën ata”, tha Vokshi.
Ndërsa kritikave të qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama për grumbullimet në fushatën elektorale të PD, Vokshi iu përgjigj ashpër se, duke nxjerrë foto të pensionistëve dhe duke thënë se “Po këto pensionistë, duke pritur për të marrë pensionin. Shkoni shihni në shkolla, në urbane, ku janë institucionet? Rama i la qytetarët në mjerim, në braktisje totale, duke mos i ndihmuar në ditët e tyre mtë vështira të pandemisë. Të mos flasim pastaj për indikatorët e Shqipërisë në lidhje me pandeminë, që janë më të përkeqësuarit në gjithë botnë. Këtu flas për incidencën, që shkon deri në 30%, numrin e personave që hospitalizohen, që është shumë herë më i vogël se ata që kanë nevojë. Po vaksinat pse vijnë vetëm 2-3 javë para fushatës zgjedhore? Ne kemi ngritur zërin që duhet të vinin vaksina, që kur filluan gjithë vendet e rajonit që të bënin kontrata e marrëveshje për vaksinat. Ndërsa Rama rrinte dhe priste të dilte në aeroport e të merrte kutitë e vaksinave për t’i shfrytëzuar. Po shfrytëzohet pandemia për fushatë elektorale dhe kjo është shkelje. Është shkelje që nga stafi i Manastirliut merren në telefon dhe iu thuhet ‘na jepni votën, t’iu bëjmë vaksinën’. E kam të denoncuar këtë, le ta vërtetojë Prokuroria. Qytetarët shqiptarë duan ndryshimin. Do dalin, do ta presin Lulzim Bashën, sepse është e vetmja shpresë për të pasur një qeverisje që nuk punon për vete, por për qytetarët. Pas orës 20:00, kur të gjithë qytetarët futen në shtëpi, zyra me njerëzit e Manastirliut është e hapur”.