Nafta arriti 202 lekë sot në Tiranë! Ekspertët kërkojnë aktivizimin e rezervës së sigurisë
Këtë të martë, çmimi i naftës me pakicë në Tiranë ka arritur nivelin më të lartë që prej nisjes së konfliktit në Lindjen e Mesme, duke u tregtuar deri në 202 lekë për litër, nga 173–175 lekë për litër para përshkallëzimit të krizës. Kjo përfaqëson një rritje me gati 29 lekë për litër.
Rritja e çmimit nisi më 4 mars, kur litri i naftës arriti në 179 lekë, dhe vijoi gradualisht deri në 198–201 lekë më 10–11 mars. Pas ngritjes së Task-Forcës së qeverisë për kontrollin e tregut, çmimi ra në 193–196 lekë, për t’u rritur përsëri nga e hëna (16 mars) në të martë (17 mars) me deri 6 lekë për litër.
Eksperti i ekonomisë, Eduart Gjokutaj, shpjegon se përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme ka ndikuar direkt në rrjedhën e karburanteve dhe në logjistikën e transportit, duke përhapur efektet në të gjithë ekonominë. Ai thekson se nuk është koha për monitorim pasiv, por për veprime konkrete.
“Paketa e masave gjithëpërfshirëse është e nevojshme. Bizneset do të përballen me rritje të kostove, e cila në fund do të reflektohet tek qytetarët në formë të shtrenjtimit të jetesës dhe uljes së konsumit,” thotë Gjokutaj.
Si një nga zgjidhjet, eksperti sugjeron edhe aktivizimin e rezervës së sigurisë, nëse ekziston. “Qeveria dhe operatorët duhet të publikojnë informacion mbi këtë rezervë, për të qetësuar qytetarët dhe për të parandaluar spekulimet e mëtejshme. Rezerva mund të mbulojë disa ditë në rast emergjence,” shpjegon Gjokutaj.
Ai shton se çmimet e larta janë rezultat edhe i një tregu të përqendruar, ku kompanitë nuk reagojnë automatikisht me ulje çmimesh, por veprojnë sipas rregullave të veta për përfitim maksimal. Aktualisht, në tabelat e çmimeve, litri i naftës është fiksuar kryesisht në 199 lekë.
Qeveria nuk përjashton rikthimin e Bordit të Transparencës për kontrollin e çmimeve të karburanteve, nëse shtrenjtimi arrin nivelet e vitit 2022, kur filloi lufta në Ukrainë. Aktualisht, në fuqi është vetëm Task-Forca për monitorimin e kompanive të karburantit, për të parandaluar abuzimet.
KOHA JONË SONDAZH

