Nano: Të gjithë kundër Berishës

(Botuar me 3 Qershor 1995 në KOHA JONE)

Nga Andi Bushati-

Vetëm kështu mund të neutralizohen aventurat totalitare të Partisë së Berishës
Fatos Nano i ka bërë dje një thirrje të re partive shqiptare të opozitës nga qendra e deri tek e majta, për një bashkërendim të veprimeve për të arritur në zgjedhjet e ardhshme të paktën 2/3 e vendeve në Parlamentin Shqiptar. “Kufiri real i forcave politike të opozitës nuk është thjesht mazhoranca relative apo absolute e forcave të veçanta por kontrolli i 2/3 nga e majta dhe qendra”- ka theksuar lideri i opozitës për gazetën e partisë së tij. Sipas tij qëllimi i kësaj mazhorance absolute do të ishte miratimi i Kushtetutës së një Republike Parlamentare, zhbllokimi i krizës së qeverisjes, shkarkimi i tensioneve të akumuluara, si dhe neutralizimi i aventurave totalitare të partisë së Berishës. Këtë radhë është vetë Nano që ashtu si më parë krerë të tjerë të PS, i kërkon forcave opozitare projektimin së bashku të së ardhmes. Lideri socialist kërkon ta shtrijë mazhorancën absolute të Parlamentit të ardhshëm me PAD, PSD, PBDNJ, PUK dhe PA. Ky bashkërendim thekson Nano duhet përballuar me principalitet e lëshime reciproke të dominuara nga logjika politike e reformave të ardhshme. Por ftesa e kryetarit të burgosur të PS vjen në një kohë kur dy nga partitë e tjera të opozitës PSD dhe PAD duken më të pavendosura se kurrë për një bashkëpunim real me PS. Ideja e një koalicioni të mundshëm qeveritar nuk është artikuluar asnjëherë e plotë nga partia e Gjinushit, ndërsa krerët e Aleancës Demokratike kanë ndjekur një kurbë me shumë luhatje në këtë drejtim. Pas suksesit të forcave opozitare në Referendum, që nuk tregoi vetëm se era e PD kishte mbaruar, por që edhe forca e padiskutueshme e Jo-së ishin socialistët, si aleanca ashtu dhe socialdemokratët filluan të reflektojnë. Dyshimi i tyre qe i qartë: Të mos përsëritej më gabimi i mëparshëm – legjitimiteti që i dhanë Berishës. Në momentin kur u pa qartë se socialistët do të ishin forca kryesore e pushtetit të ardhshëm në të njëjtën kohë lindi edhe dyshimi i pjesës tjetër të opozitës ndaj tyre. Mbi ta filluan sërish të përmenden hija e trashëgimisë, frika e revanshizmit, pas ardhjes në pushtet, mungesa e alternativave të zhvillimit etj. Pikërisht në këto pika përpiqet të sqarohet edhe Nano me pjesën tjetër të opozitës pa të cilën ai ndoshta do ta ketë tepër të vështirë të ndërtojë shtetin e ardhshëm.
Program modern social-demokrat
“Programi politik i PSSH është një program modern social-demokrat edhe pse vlerëson idetë marksiste”- thotë Nano i cili pohon se ka zgjedhur rrugën e rinovimit gradual, gjë që i solli efektet e duhura ndryshe nga PD që megjithëse u krijua rishtas ruan remineshencat e partisë-shtet. Në favor të tezës së tij kryetari socialist sjell tre argumente: programet e rinovuara të PS, organizimi dhe strukturat politike të partisë, si edhe 2/3 e anëtarëve të saj që sipas Nanos janë të rinj dhe nuk kanë qenë kurrë anëtarë të PPSH. Si një shenjë reale të rinovimit Nano përmend edhe forumin eurosocialist që me gjithë kontradiktat e herëpashershme me krerë të tjerë të PSSH, duket se me të ruan raporte të mira.
A do të shoqërohet me revanshizëm ardhja e socialistëve në pushtet
Kjo ka qenë një pyetje që i ka shqetësuar jo pak partitë e tjera të opozitës. Sidomos pas kërkesës së fundit për fillimin e çështjes penale për Qeleshin dhe Blerim Çelën, pyetja mund të shtrohet më hapur. Gjithkush e dinte se në gjendjen e sotme të drejtësisë shqiptare, një kërkesë e tillë nuk do të realizohej, por shumëkush ndoshta ka parë tek ajo parathënien e së ardhmes. Në kushtet e një të djathte që iu afrua pushtetit jo vetëm me rrugë parlamentare, dhe të një të djathte ekstreme që tanimë ka kërkuar marrjen e armëve si do të veprojnë socialistët? Si do të veprojnë ata me opozitarët e tyre që kanë shkelur ligjin? Deri më tash ata kanë denoncuar korrupsionin e pushtetit deri në nivelet e ulëta të administratës lokale por ende nuk kanë thënë se si do të veprojnë ndaj tyre. Në intervistën e djeshme, Nano nuk mungon të dënojë demaskimin e një të djathte që ai e quan anakronike pikërisht për revanshizmin e shprehur prej saj. Ai dënon idenë e mospranimit të opozitës si alternativë por nuk shprehet qartë se si do të veprojë PS kur të vijë në pushtet. Vetëm kritika që i bën revanshizmit të djathtë dhe mungesës së tolerancës ndaj opozitës të bën të shpresosh se ai i mbahet asaj që ka thënë këtu e një vit më parë për kundërshtarët e tij: “Kur populli të kërkojë lançimin e tyre, unë do t’i mbroj”.
Solidaritet social apo shtet asistencial
PSSH mbron alternativën eurosocialiste të reformave demokratike që sipas Nanos do të thotë “liri e sipërmarrjes plus solidaritet social”. Sipas tij, socialistët nuk kanë asnjë lidhje me dirigjimin etatist dhe shtetin asistencial siç kishte deklaruar në një artikull të tij lideri i PAD Pashko, në një artikull që analizonte faktorët e rritjes të elektoratit socialist. Sipas Nanos, PS ka zgjedhur alternativën e reformave që pranon shumica dhe që përshtatet më mirë me realitetin shqiptar. “Ne kërkojmë t’i tërheqim dhe integrojmë shqiptarët normalisht në pranimin e sfidave të konkurrencës së tregut të lirë… por pa lejuar braktisjen sociale”- thotë Nano. Pikërisht sepse në këto pika duket sikur socialistët nuk e kanë fituar plotësisht kredibilitetin e aleatëve të tyre të mundshëm, këta të fundit i tremben një qeverisjeje të përbashkët. Dhe pikërisht sepse kjo qeverisje koalicioni nuk është e siguruar Nano i kërkon opozitarëve të tjerë një shtrirje më të gjerë. Së bashku të arrijmë mazhorancën absolute. Ai ua kërkon këtë në emër të një kundërshtari të konsideruar si të përbashkët pa theksuar se ç’përqindje mendon të marrë partia e tij brenda 2/3 të të gjithë opozitës.
Andi Bushati

SHKARKO APP