Nata e Shëna Ndout, kremtja e shenjtit të mrekullive

Shën Antoni i Padovës është një nga shenjtorët më popullorë të Kishës së gjithmbarshme. Kisha na i kujton mësimet e këtij Shenjti të jashtëzakonshëm, sidomos rëndësinë e lutjes, parë si lidhje dashurie dhe si bisedë e përzemërt me Zotin. Krahas lutjes është edhe bamirësia e mirënjohur e shën Antonit, që gjen shprehjen në përbujtjen e të varfërve e në bindjen se do të jenë pikërisht të varfrit e të mënjanuarit ata, që do të na presin dhe prinë në lumturinë e Qiellit.

Sot më 12 qershor bie Nata e festës së Shëna Ndout të Padovës, rregulltar françeskan e doktor i KishësKremtim i madh në Padovё, Laç e Gjakovë. Shenjti mrekullibërës që lindi në Lisbonë e vdiq në Padovë, nderohet e festohet nga besimtarët e mbarë botës, e po kështu, edhe nga besimtarët shqiptarë, kudo.

Shën Antoni i Padovës, bashkëkohës i Shën Françeskut të Asizit, është një nga shenjtorët më popullorë të Kishës së gjithmbarshme. Kisha na i kujton mësimet e këtij Shenjti të jashtëzakonshëm, tejet të nderuar nga besimtarët katolikë, sidomos rëndësinë e lutjes, parë si lidhje dashurie dhe si bisedë e përzemërt me Zotin. Krahas lutjes është edhe bamirësia e mirënjohur e shën Antonit, që gjen shprehjen në përbujtjen e të varfërve e në bindjen se do të jenë pikërisht të varfrit e të mënjanuarit ata, që do të na presin dhe prinë në lumturinë e Qiellit. Mësim ky me vlerë sidomos për kohën tonë, të tronditur nga kriza ekonomike. Më pas, kujtojmë aftësinë e shën Antonin si predikatar, i cili me kujdes të madh, në homelitë e tij,  paraqiti në mënyrë sa më të kuptueshme, bindëse, prekëse, bukurinë e amshuar të figurës dhe mesazhit të Jezu Krishtit.

Shembulli i Shëna Ndout, që jetoi duke ndihmuar të munduarit, duke mbrojtur me pasion të vërtetën e të drejtën, mund të ngjallë edhe sot e kësaj dite dëshirën për ta dhuruar vetveten, duke ecur në gjurmët e Shenjtit, që vijon të ndikojë fuqimisht mbi jetën e mijëra njerëzve në të katër anët e botës. Kisha na fton që të gjithë të mund të përsërisin fjalët ee Shëna Ndoun, që i shqiptoi kur po jepte shpirt: “Po shoh Zotin tim!”, duke shtuar se duhet ta shikojmë Zotin në fytyrën e çdo vëllai e të çdo motre, duke u ofruar të gjithëve ngushëllimin, shpresën e mundësinë e takimit me Fjalën e Zotit, spirancë për gjithë jetën tonë.

Lisbona ishte vendlindja tokësore e shëna Ndout, Padova, vendi prej nga u nis për në Qiell. Ndërmjet këtyre poleve gjeografike, që u bënë në shekuj simbole universale të shenjtit, e kaloi jetën njerëzore e shpirtërore Antoni i Padovës (emër, që në shqip, mori trajtën Ndue), njeri i pajisur me shkencë e gojëtari të krishterë aq, sa të ngarkohej nga eprorët e tij me detyrën që t’i kushtohej kryesisht predikimeve. Shkrimet e shëna Ndout janë plot me freskinë dhe me bukurinë e Ungjillit deri në atë masë, sa edhe sot e kësaj dite, mase 800 vjet pas vdekjes së tij, mund t’i lexojmë me të njëjtin përfitim shpirtëror. E jo vetëm.

Shëna Ndout të Padovës, si kudo në botë, edhe në trevat shqiptare, i kushtohen shumë Kisha e Shenjtërore, ndër to po përmendim dy: atë në Laç të Shqipërisë dhe në Gjakovë të Kosovës, ku sonte e nesër besimtarë nga të gjitha viset shqiptare ngarendin për të marrë pjesë në kremtimet e Meshëve të Shenjte e në lutjet drejtuar Zotit përmes ndërmjetësimit të Shëna Ndout, për nevoja shpirtërore e trupore.

Nderimi ndaj shën Antonit të Padovës i kalon qarqet e Kishës katolike e shkon shumë më gjerë. Figura e vepra e tij kanë zgjuar interesim përpos tek katolikët edhe ndër ortodoks, budistë e mysliman. Prandaj me të drejtë quhet shenjt universal – shenjti i botës. Shën Antoni apo shëna Ndou i Padovës ishte njeri i palodhshëm në vreshtin e Zotit. Jeta e tij ishte shërbim ndaj vëllait njeri pa dallim, prandaj ishte i pranuar dhe i dashur nga Zoti e nga të gjithë pa dallim.

Shëna Ndout të Padovës
O i lumi e i mrekullueshmi shenjti shëna Ndue,
ndër këmbë të tua po bimë,
e me gjithë fuqi të zemrës sonë
po të lutemi të na nxjerrësh prej Tënzot
hir e forcë që të ndjekim në përvujtëri shenjtë,
ça është aq e këndshme para Zotit,
e aq e dobishme për shpirt.
O shenjti i bardhë,
ti që je i mëshirshëm e dorëdhënë me gjithkënd,
dëgjo lutjen tonë e na plotëso dëshirën e zemrave tona.
Bën o Hyj, që e kremtja e kushtuar shëna Ndout,
Dëshmitarit tënd e Dijetarit,
të gëzojë Kishën tënde,
kështu që kjo, e forcuar prej hirit tënd shpirtëror,
të meritojë e të kapet në gëzime të pambaruara. Amen

Të lutem!
O Hyj, Ti që shërbëtorin tënd, Shën Antonin, e zgjodhe për shërimin e botës, dhe përmes shembullit të shenjtë të tij dhe predikimeve të zellshme, të cilat i hoqën dresh dhunës së Djallit shpirtrat, bëj që përmes lutjeve të forta të tij dhe shikimit tënd kah shërbëtori yt të fitojmë hirin hyjnor dhe të kemi pjesë në gëzimin e amshuar. Nëpër Krishtin, Zotin tone. Amen.

R.SH. – Vatikan

SHKARKO APP