Nata e Verës në Elbasan, qyteti në festë deri në mëngjes

Qyteti i Elbasanit është kthyer tashmë në qytetin e traditës, për sa i përket ditës së Verës. Në pritje të ditës së verës mijëra qytetarë, jo vetëm nga ky qytet por nga i gjithë vendi dhe trojet shqipfolëse janë mbledhur në sheshin “Gensher” për të ndjekur koncertin e madh të mundësuar nga bashkia e këtij qyteti. Këngëtarët më në zë të muzikës popullore por edhe asaj të lehtë të Shqipërisë janë ngjitur në skenë për të festuar së bashku ardhjen e stinës së ngrohtë. 
Po ashtu në skenë u ngjitën  edhe aktorë të humorit por edhe trupa e Cirkut të Tiranës, Qytetarët janë shprehur të kënaqur nga organizimet dhe kanë zgjedhur të qëndrojnë në shesh deri në orët e para të mëngjesit për të pritur së bashku "Ditën e Verës". 
Kryebashkiaku Sejdini i mori vetëm pak minuta festimeve për të bërë urimin e tij tradicional. Situata kulmoi me hedhjen e fishekzjarreve të cilat ndriçuan "Natën e Verës" në Elbasan. 
Ky është viti i tetë që kreu i bashkisë uron qytetarët e tij, duke i bërë të mundur miqve dhe mysafirëve një qytet plot me aktivitete dhe larmi në këtë festë tradicionale. 
Por përveç festimeve, në shesh të gjitha baret dhe restorantet e qytetit kanë qenë të mbushura plot deri në orët e para të mëngjesit, pasi siç e do tradita, festa e verës pritet së bashku. 

SHKARKO APP