NATO: Nuk do të dërgojmë trupa luftarakë në Ukrainë

Nga DW

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e përjashton mundësinë e dërgimit të trupave të NATO-s në Ukrainë. Ndërkohë sot (31.01.) Këshilli i Sigurimit do të merret për herë të parë me krizën në Ukrainë.

NATO ka përjashtuar mundësinë e një ndërhyrjeje luftarake në rast të një marshimi rus në Ukrainë. “Ne nuk kemi plane të angazhojmë trupat luftarake të NATO-s në Ukrainë”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg për BBC. Aktualisht në Ukrainë janë të angazhuar instruktorë ushtarakë të NATO-s. Aleanca ndihmon të forcojë aftësinë mbrojtëse të Ukrainës dhe e furnizon atë me armatim luftarak.

Swiss Digital Desktop Reklama

Por për shkak se Ukraina nuk është anëtare e NATO-s, nuk vlen garancia e mbrojtjes 100% që mund të marrin anëtarët e saj. “Për Ukrainën, një partner ne ofrojmë mbështetje, dhe dërgojmë mesazhin, se do të ketë sanksione të rënda ekonomike në rast se Rusia përdor sërish dhunën.” Ushtria ukrainase është tanimë “më e fortë, më e madhe dhe e armatosur shumë më mirë”, se në vitin 2014, është shprehur Stoltenberg.

Swiss Digital Mobile Reklama

Rusia kërkon sqarim pozicionesh

Në vitin 2014, Rusia aneksoi Gadishullin e Krimesë dhe mbështeti separatistët besnikë të Moskës në Ukrainën lindore. Stoltenberg theksoi, se “nuk ka siguri” për qëllimet e Rusisë. Por ajo që vërehet është një marshim i përmasave të mëdha të trupave ruse me shumë ushtarë dhe teknikë ushtarake, që shoqërohet nga “retorika kërcënuese”. Sipas Stoltenberg ka “rrezik real dhe kjo është arsyeja, pse partnerët e NATO-s kanë rritur mbështetjen për Ukrainën”.

Rusia ndërkohë i ka vlerësuar si të pamjaftueshme përgjigjet me shkrim të NATO-s dhe SHBA për kërkesat e saj mbi garancitë e sigurisë. Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov kërkoi të dielën nga NATO dhe Organizata për Siguri e Bashkëpunim në Europë, OSBE një sqarim të plotë mbi pozicionet e tyre. Në një kërkesë zyrtare drejtuar të dyja organizatave kërkohet një deklaratë, se si po e përmbushin ato detyrimin që “sigurinë e tyre të mos e forcojnë në kurriz të vendeve të tjera”, tha Lavrov në televizionin rus.

Seancë e Këshillit të Sigurimit

Ndërkohë të hënën (31.01) me kërkesën amerikane, instanca më e lartë e OKB-së, Këshilli i Sigurimit do të trajtojë krizën në Ukrainë. Qeveria në Uashington i ka kërkuar Këshillit të Sigurimit të trajtojë në një seancë krizën e Ukrainës. Kjo bëhet “për shkak të kërcënimit të qartë të paqes ndërkombëtare dhe sigurisë” nga ana e Rusisë, bëri të ditur ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield. Rusia ka stacionuar më shumë se 100.000 ushtarë në kufirin ukrainas dhe ndjek “veprime të tjera destabilizuese kundër Ukrainës”, ka thënë Thomas-Greenfield. Këshilli i Sigurimit do të trajtojë në një seancë të hapur këtë krizë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?