Ndahet nga jeta në moshën 59 vjeçare aktori dhe regjisori Fatbardh Smaja

 

Është ndarë nga jeta në moshën 59 vjeçare aktori dhe regjisori i mirënjohur i teatrit “Migjeni” Fatbardh Smaja. Ikona e këtij teatri mbylli sytë në QSUT, pasi nuk arriti të fitojë betejën me sëmundjen e rëndë që e kishte prekur prej pak kohësh. Smaja ishte emëruar prej muajit tetor drejtor i teatrit “Migjeni” të Shkodres, ndërsa sëmundja nuk e lejoi të shohë në skenë veprën e tij të fundit “Kandili i Argjandit” e shkruar nga Martin Camaj, pasi natën e premieres ai u shtrua në spital. Fatbardh Smaja lindi më 2 shtator 1956 në qytetin e Shkodrës. Studioi që fëmijë për violinçel, e me pas për klarinetë. Vitet e mëpasshme të jetës do t’ia përkushtonte teatrit, pas përfundimit të studimeve në Insitutin e lartë të Arteve për aktrim. Ne vitin 1980 nisi punën ne teatrin “Migjeni “si aktor dhe ai numëron rreth 90 role në komedi, dramë, tragjedi por dhe kinematografi si në filmat “Fundi i një gjakmarrjeje “,”Fejesa e Blertës”, “Ngjyrat e moshës” e disa të tjerë. Pervec aktrimit, Smaja u angazhua dhe me regjisurë duke nisur fillimisht si asistent regjisor i Serafin Fankos, e më pas duke vënë edhe vetë pjesë në skenë. Disa nga veprat që ai ka vënë në skenë janë “Rëndësia e të qënurit i sinqertë”, “Njeriu që pa vdekjen me sy”, “I sëmuri për mend” “Zeneli” etj. Ai ka sjellë çdo vit në skenat e teatrove shqiptar, vepra të një rëndësie të madhe kombëtare dhe ndërkombëtare, ku tematika dhe mesazhi i përcjellë e veçon shfaqjen. Humbja e Smajës është e rëndë jo vetëm për familjen e tij, gruan dhe vajzën që i kishte partnere në skenë, por edhe të birin që i trashëgoi dashurinë për regjisurën. E rëndë kjo ndarje është edhe për teatrin “Migjeni”, miqte dhe kolegët që punuan me të, por edhe për Shkodrën pasi Bardhi siç e thërrisnin të gjithë ishte shpirti artistik i këtij qyteti, brezi i ri që trashëgoi me pasion dashurinë për artin.

SHKARKO APP