Ndahet nga jeta në moshën 83-vjeçare legjenda e volejbollit shqiptar, Kreshnik Tartari
Është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare Kreshnik Tartari, një prej figurave më të mëdha dhe më me ndikim në historinë e volejbollit shqiptar. Për dekada me radhë, emri i tij u identifikua me suksesin, disiplinën dhe përkushtimin ndaj sportit, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme si sportist dhe trajner.
I lindur më 21 korrik 1943, Tartari u formua si sportist në radhët e Dinamos, klubit ku hodhi hapat e parë të një karriere që do të shndërrohej në legjendë. Fillimisht si volejbollist dhe më pas si trajner, ai u bë pjesë e brezit të artë të Dinamos së meshkujve, skuadër që dominoi kampionatin shqiptar dhe u dallua edhe në arenën europiane.
Më vonë, në drejtimin e ekipit të femrave të Dinamos dhe të ekipit kombëtar, Tartari ndërtoi një nga periudhat më të suksesshme të volejbollit shqiptar të femrave, duke e kthyer skuadrën në një emër të respektuar në garat ndërkombëtare.
Gjatë karrierës së tij të gjatë dhe të jashtëzakonshme, ai regjistroi mbi 400 ndeshje ndërkombëtare dhe rreth 2000 ndeshje zyrtare. Kreshnik Tartari u shpall 26 herë kampion kombëtar si lojtar dhe trajner, ndërsa fitoi 18 herë Kupën e Republikës. Në arenën europiane mori pjesë në 17 edicione të Kupave të Europës, duke arritur disa herë deri në fazat finale të kompeticionit.
Një nga kulmet e karrierës së tij me ekipin kombëtar mbetet medalja e artë në Lojërat Mesdhetare të Latakias në vitin 1987, një sukses historik për sportin shqiptar.
Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në sport, Tartari u nderua me titujt më të lartë shtetërorë dhe sportivë, mes tyre “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, “Trajner i Merituar”, “Mjeshtër i Madh” dhe dekorata e lartë “Nderi i Kombit”. Ai u vlerësua gjithashtu me Urdhrin “Naim Frashëri” në disa klasa, si dhe me tituj ndërkombëtarë si trajner i kategorisë së lartë në Itali dhe trajner ndërkombëtar i certifikuar nga FIPAV.
Me ndarjen nga jeta të Kreshnik Tartarit, sporti shqiptar humbet një nga personalitetet e tij më të spikatura, ndërsa volejbolli shqiptar një prej emrave që kontribuoi në mënyrë të pazëvendësueshme në historinë dhe zhvillimin e tij.
KOHA JONË SONDAZH

