Ndërhyrje e paligjshme në banesë, në pranga efektivi i Policisë së Sarandës
Një punonjës i Policisë së Sarandës është vendosur në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, pasi dyshohet për përfshirje në ndërtime të paligjshme në një objekt që përdorej për aktivitete akomoduese turistike.
Sipas hetimeve të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), në një pronë që i përket familjes së efektivit, konkretisht në banesën e babait të tij ku ai jeton, është konstatuar shtimi i një kati të ri pa lejen e organeve kompetente. Ndërtimi i paligjshëm dyshohet të ketë një sipërfaqe prej rreth 159 metrash katrorë dhe të jetë realizuar me qëllim shfrytëzimi për aktivitet hotelier.
Hetimet e zhvilluara nën drejtimin e Prokurorisë së Sarandës kanë evidentuar se në objekt janë kryer punime ndërtimore dhe rikonstruksione që synonin ndryshimin e destinacionit të godinës për akomodim turistik. Ekspertiza teknike ka konkluduar se ndërhyrjet përbëjnë ndërtim të ri sipas legjislacionit në fuqi dhe për realizimin e tyre kërkohej detyrimisht pajisja me leje ndërtimi.
Nga verifikimet e kryera nuk është konstatuar asnjë leje e miratuar për ndërtimin e katit shtesë. Sipas të dhënave hetimore, punimet janë realizuar gjatë vitit 2025 dhe janë dokumentuar edhe përmes analizës së pamjeve satelitore dhe provave të tjera të mbledhura gjatë hetimit.
AMP bën me dije se rasti është pjesë e një procedimi penal në të cilin po hetohet edhe efektivi i identifikuar, i cili në kohën e ngjarjes ka mbajtur detyrën e specialistit për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë. Hetimet po vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë e plota penale dhe për të identifikuar çdo person tjetër të përfshirë në këtë veprimtari.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore thekson se respektimi i ligjit është detyrim themelor për çdo punonjës të policisë dhe se çdo shkelje do të trajtohet pa asnjë përjashtim, me qëllim garantimin e integritetit të institucionit dhe besimit të qytetarëve te zbatimi i ligjit.
KOHA JONË SONDAZH

