Ndërtimi vend krimi, 19 të vdekur gjatë këtij viti
Viktima në Shqipëri për fat të keq nuk ka vetëm në Covid-19. Sipas një raporti të fundit, 19 persona kanë gjetur vdekjen gjatë këtij viti pasi janë aksidentuar në vendin e punës. Vetëm këtë javë humbën jetën 2 punëtorë në kryeqytet, ndërsa u plagos një i tretë. Sektori i ndërtimit rezulton sektori më problematik, ku qyteti me numrin më të lartë të punëtorëve të aksidentuar është Tirana.
Kushtet e pasigurta në ambientet e punës në vendin tonë vijojnë të marrin jetë njerëzish, ku vetëm në ditët e fundit humbën jetën 2 punëtorë dhe u plagos një i tretë për shkak të mungesës së kushteve të sigurisë. Rastet e humbjes së jetës në ambientet e punës janë shqetësuese për këtë vit, pasi deri më tani mësohet se kanë vdekur 19 punëtorë, shumica prej të cilëve kanë qenë punonjës të sektorit të ndërtimit.
Tirana është qyteti me numrin më të lartë të aksidenteve të ndodhura në punë, për të vijuar më pas me Durrësin dhe Dibrën, për shkak të minierave në të cilat operohet në këtë zonë. Shifrat shikohen me shqetësim për këtë vit duke marrë parasysh dhe faktin që për më shumë se 2 muaj vendi u izolua totalisht.
Të premten policia njoftoi se ka arrestuar ka arrestuar inxhinierin e pallatit pranë spitalit “Nënë Tereza”, ku u rrëzua një punëtor dhe gjeti vdekjen. Policia gjithashtu ka referuar materialet dhe për inxhinierin e një firme që merret me prodhimin e parafabrikateve, pasi gjatë kohës që ka qenë duke punuar me një nga pajisjet për prodhimin e zgavrave metalike në këtë firmë, ka humbur jetën një punëtor 35-vjeçar.