Ndërtoi pa leje në një mol në Vlorë, pranga 47-vjeçarit
Një rast i ndërtimit të paligjshëm është evidentuar në qytetin e Vlorës, ku policia ka ndërhyrë pas konstatimit të punimeve të paautorizuara në zonën bregdetare të Jonufrës. Në pranga ka rënë një 47-vjeçar, i identifikuar me inicialet B.M., banues në Vlorë, i cili u kap në flagrancë duke kryer punime pa leje në një mol të ndërtuar në det.
Sipas njoftimit zyrtar, operacioni u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në kuadër të kontrolleve të shtuara për monitorimin e territorit dhe mbrojtjen e vijës bregdetare nga ndërhyrjet e paligjshme. Policia ka bërë me dije se 47-vjeçari u kap në vendin e njohur si “Gjiri i Kaltër”, ndërsa po realizonte punime ndërtimore pa miratimin e organeve kompetente.
Nga verifikimet e kryera në terren rezultoi se ai kishte ndërhyrë në mënyrë të kundërligjshme në një segment të vijës bregdetare që përfshihet në projektin “Lungomare 3”. Konkretisht, shtetasi kishte kryer zgjerim dhe shtesë ndërtimore mbi një mol ekzistues, duke e modifikuar atë pa leje.
Autoritetet theksojnë se zona ku u kryen punimet konsiderohet pjesë e hapësirës publike dhe çdo ndërhyrje e paautorizuar përbën shkelje ligjore. Për këtë arsye, ndaj 47-vjeçarit janë nisur procedurat penale për veprën “Ndërtimi i paligjshëm”. Materialet i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme.
Policia e Vlorës ka njoftuar se kontrollet do të vijojnë intensivisht në të gjithë territorin, me fokus të veçantë zonat turistike dhe bregdetare, për të parandaluar çdo tentativë për ndërtime pa leje.
Institucionet përgjegjëse kanë ritheksuar angazhimin për mbrojtjen e pronës publike, ruajtjen e vijës bregdetare dhe zbatimin e ligjit ndaj çdo personi që cenon hapësirat publike me ndërtime të paligjshme
KOHA JONË SONDAZH

