Ndihma ligjore falas, lehtësim aksesit të qytetarëve në Drejtësi
Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me UNDP-në dhe Agjencinë Austriake për Zhvillim nënshkruan marrëveshjen për zbatimin e projektit për shtrirjen e shërbimeve të ndihmës ligjore falas, e cila do ta bëjë më të lehtë aksesin e qytetarëve në Drejtësi. Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj shprehet se pjesë e kësaj marrëveshjeje është dhe ngritja e qendrave ku qytetarët do marrin këshillim ligjor professional falas, si dhe trajtim korrekt për çdo rast.
”Në bashkëpunim me UNDP dhe Agjencinë Austriake për Zhvillim, mundëm të nënshkruajmë marrëveshjen për zbatimin e projektit tonë “Shtrirja e Shërbimeve të Ndihmës Ligjore Falas për Gratë dhe Burrat në Shqipëri”, ndërmjet të cilit synojmë ta bëjmë më të lehtë aksesin e qytetarëve në drejtësi. Jam besimplotë që kjo marrëveshje do ta përmirësojë më tej punën e qendrave që po ngremë në të gjitha qytetet e mëdha, të cilat do të jenë streha ku qytetarët do marrin këshillim ligjor profesional, si dhe trajtim korrekt për çdo rast”.
Ministrja tha se ky nënshkrim do bëjë të mundur rritjen e numrit të qendrave që ofrojnë ndihmë juridike falas, si dhe do japë mbështetje të plotë për drejtorinë e ndihmës juridike falas përmes ngritjes së kapaciteteve dhe aspekteve rregullator. ”Bashkëpunimi me shoqërinë civile është një ndër komponentët më të rëndësishëm, ku ngritja e një rrjeti të specializuar OJF me kapacitete institucionale dhe zhvilluese, do mundësojë të shkëmbejmë dhe përfitojmë nga ekspertiza e tyre në fushën e shërbimit të ndihmës juridike falas”.