#NdizNjëShpresë/ Fondacioni i Vodafone Albania në ndihmë të grave viktima të dhunës

8 marsi është një ditë e shënuar për të gjitha gratë. Edhe për ato, ose sidomos për ato vajza dhe gra që prej kohësh qëndrojnë në strehëza, për shkak se jeta e tyre rrezikohet çdo ditë prej dhunës në familje dhe asaj me bazë gjinore. Gra për të cilat jeta është një e tatëpjetë e vështirë, gra që po jetojnë momente të errëta në jetën e tyre dhe kanë nevojë për një rreze shpresë.

Ndaj në kuadër të Kontratës së saj Sociale, Vodafone në Shqipëri ka organizuar këtë 8 mars një event hiking, me misionin për të mbledhur fonde për një strehëz grash të dhunuara në Tiranë.

Në hiking-un e zhvilluar në Malin e Dajtit morën pjesë personalitete nga politika, përfaqësues të qeverisë, si Romina Kuko, zëvendës ministre e Punëve të Brendshme, ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, znj.Bora Muzhaqi, përfaqësues të organizatave si Michele Ribotta nga UN Women apo përfaqësues të institucioneve që punojnë me të drejtat e njeriut, si Robert Gajda, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Por të pranishëm ishin edhe shumë gazetarë e gazetare, që në këtë mënyrë kanë dhënë kontributin e tyre për këtë kauzë.

Gjatë hiking-ut u mblodhën rreth 11,000 euro, të cilat në ditën e shënuar të 8 marsit iu dorëzuan një strehëze për gratë viktima të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore. Katia Stathaki, Drejtoresha e Përgjithshme e Vodafone Albania, tha se: “Vetëm pak ditë më parë, tre gra u vranë në Shqipëri dhe tre të tjera u plagosën. Dhuna me bazë gjinore është dhunë kundër gjithë shoqërisë, sepse rrezikon çdo ditë jetët jo vetëm të grave, por edhe të fëmijëve dhe familjes. Por ne me zërin tonë mund të bëjmë një ndryshim në shoqëri. Fakti që sot jemi bërë të gjithë bashkë nuk duhet të mbetet vetëm këtu. #NdizNjëShpresë është një slogan që na bën të reflektojmë, të ndërgjegjësojmë dhe të bëhemi pjesë e zgjidhjes së këtij problemi”.

Fondacioni Vodafone Albania i ka vajzat dhe gratë viktima të dhunës në qendër të vëmendjes. Platforma dhe aplikacioni Bright Sky, i cili tashmë ka mbi 18,000 shkarkime në Play Store dhe App Store, ofron konsulencë dhe ndihmë nëpërmjet teknologjisë për këdo që ndihet i kërcënuar apo është dëshmitar i dhunës në familje apo asaj me bazë gjinore.

Madje nëpër Shqipëri po organizohet një tur për t'i njohur përfitueset e mundshme të këtij aplikacioni me të gjitha funksionet dhe avantazhet e tij. Këtë mars, u bëmë dëshmitarë të asaj se, së bashku, mund të ngjisim edhe malet më të larta dhe të tejkalojmë sfidat më të mëdha!

SHKARKO APP