Ndjekje penale për tetë punonjës të Doganës së Kakavijës dhe dy shoferë

Tetë punonjës të Doganës së Kakavijës dhe dy shoferë, janë pezulluar dhe janë dërguar per ndjekje penale, pasi futën trailera kontrabandë në kufi.

Sipas një njoftimi për shtyp të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, “Departamenti Operativo-Hetimor, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, zbuloi dhe hetoi një veprimtari të organizuar kriminale të disa personave në bashkëpunim me punonjës të doganës së Kakavijës, të cilët kanë futur në territorin shqiptar mallra kontrabandë”.

“Nga hetimi i kryer u zbulua se në datën 26 shkurt 2015, në Doganën e Kakavijës kanë kaluar dy automjete tip trailer kontrabandë, të cilët kishin në brendësi artikuj të ndryshëm industriald, duke shmangur kështu vlera të konsiderueshme të detyrimeve doganore. Njëkohësisht, punonjësit e doganës kanë konsumuar veprën penale të kontrabandës”, thuhet në njoftim.

Sipas DPD, “nga kjo veprimtari e organizuar kriminale, e cila është kryer në bashkëpunim, Departamenti Operativo-Hetimor i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, ka dërguar për ndjekje penale në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, “për veprën penale të Kondrabandës”, punonjësit e administrates doganore”.

Ndërkohë, vijojnë të njëjtat burime, “menjëherë është marrë masa e pezullimit nga detyra të punonjësve të Doganës së Kakavijës:

Klodian Cani – Përgjegjës Turni
Redi Karalliu, Arben Zhupa – Doganiere te Kontrollit ne Pikën e Hyrjes
Ardit Karabina – Doganier i Peshores
Engjell Ymeraj – Doganier i Parkimit

Po ashtu u dërguan për ndjekje penale dhe u pezulluan menjëherë nga detyra punonjësit e Antikontrabandës që kishin për detyrë të zbulonin dhe parandalonin këtë veprimtari të kundraligjshme, me motivacionin “shpërdorim detyre”:

Idriz Zogu – Përgjegjës i Grupit të Antikontrabandës
Vladimir Goxhi, dhe Etjon Hyseni – Inspektorë të Antikontrabandës

Gjithashtu, thekson DPD, “janë dërguar për ndjekje penale edhe dy drejtuesit e mjeteve me inicialet T.Ç dhe L.Z, te subjektit “B.F” të cilët në bashkëpunim me punonjësit e sipërpërmenduar kanë konsumuar veprën penale të kontrabandës në Degën Doganore të Kakavijës”.

Të gjitha materialet e mbledhura gjatë hetimit dhe zbulimit të kësaj veprimtarie të organizuar kriminale i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për të vazhduar më tej këtë çështje. Hetimet e Departamentit Operativ Hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjirokastër vazhdojnë me intensitet. 

SHKARKO APP