Ndreca: Riformatimi si qeveri teknike. Rama në hall, i është mbyllur rrethi
Pedagogu Ardian Ndreca thotë se kryeministri Edi Rama “është në hall” pasi i “është mbyllur rrethi” dhe është “në presion nga drejtësia”. Për të riformatimi i gati gjysmës së kabinetit nga kryeministri duket më shumë si një qeveri teknike, ku i vetmi që stonon është Rama. Pedagogu vë në dukje se rreziku Ramës nuk i vjen nga molotovët e opozitës, por nga drejtësia.
“Ka dështuar gjithë klasa jonë politike në ndërtimin e një sistemi vlerash që janë të kundërta me ato të BE-së, që ai pretendon ‘për t’u martuar’. Besoj se jemi përpara fundit të një cikli, siç ka ndodhur me Gruevskin, Sanaderin, siç po ndodh me Gjukanoviçin, besoj që shumë shpejt do të ndodhë edhe te ne e njëjta gjë, që do të mbyllet një cikël i dhimbshëm, tragjik, me kosto jashtëzakonisht të mëdha për shqiptarët.
Ky riformatim mua më duket më shumë si një qeveri teknike, i vetmi që stonon në këtë qeveri, që duket me personazhe si një shtëpi pioneri, është Rama, i vetmi që ka peshë politike, dhe i vetmi që është padron absolut, kapoja, i atyre që i ngre në qiell dhe i hedh pa pikë mëshire dhe arsye, sepse është bashkëfajtor për gjithë dështimet e vartësve dhe bëshkëpunëtorëve.
Besoj se është në hall të jashtëzakonshëm këtë moment. Është mbyllur rrethi. I vetmi rrezik që i vjen Ramës dhe qeverisë së tij, i vjen nga drejtësia, s’i vjen nga Berisha dhe molotovët. Vizita që erdhi në Tiranë më 17 të këtij muaji, ishte shumë domethënëse, dhe kanë dëgjuar prej tyre gjëra që s’i kanë pëlqyer qeveritarët e Tiranës. Presioni është i madh, sepse edhe ai vet e ka rritur presionin ndaj drejtësisë”, tha në ”A2cnn”.
KOHA JONË SONDAZH

