Ndryshime në Buxhetin e vitit 2023, Ministri i Financave: Parashikohet rritje e të ardhurave me 7.5 miliardë lekë

Qeveria miratoi sot Aktin Normativ për ndryshime të Buxhetit të vitit 2023, që parashikon rritje të planit vjetor të të ardhurave me 7.5 miliardë lekë.

Nëpërmjet këtij akti normativ rishpërndahen rreth 46 miliardë lekë, me synim përshpejtimin e projekteve me performancë pozitive dhe nxitjen e rritjes ekonomike.

Kjo bëhet e mundur edhe falë një ecurie pozitive të sektorit energjetik, i cili nuk ka pasur nevojë për mbështetjen buxhetore të parashikuar në fillim të vitit, tha ministri i Financave Ervin Mete, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

Nëpërmjet aktit normativ mbështetet procesi i rindërtimit me afro 12 miliardë lekë, me synim avancimin dhe përmbylljen sa më të shpejtë të këtij procesi. Gjithashtu, alokohen rreth 1.8 miliardë lekë për skemën e naftës dhe skemat e mbështetjes së fermerëve, për të cilat Ministria e Bujqësisë do të sigurohet për disbursimin e tyre deri në fund të vitit.

Parashikohet një shtesë për fondin e ish-të përndjekurve politikë, me synim përshpejtimin e pagesave për këtë kategori përfituesish. Akti normativ mbështet gjithashtu projektet në infrastrukturë, kryesisht në rrugë, ujësjellësa dhe kanalizime”, tha Mete.

SHKARKO APP