Ndryshimet në Kodin Penal/ Juristi Hazizaj: Do rrëzohen, janë antikushtetuese
Burgu që kërkon qeveria për shkelësit e karantinës dhe për përhapësit e Covid-19, të paraqitura në nismat ligjore në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme për juristin Sokol Hazizaj, janë në kundërshtim me parimet themelore mbi të cilat ndërtohet e drejta.
“Nismat ligjore në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme për rregullimin e veprimtarisë jetësore vijnë në kundërshtim me parimet themelore mbi të cilat ndërtohet e drejta. Nuk mund ta pranojë askush që në gjendje të jashtëzakonshme të formatosh akte ligjore me veprimtari të përhershme. Janë dy dimensione që shkojnë kundër. Ajo çka ndryshimet e dispozitave në Kodin Penal i ka dhënë forcën e ligjit, është koncepti i urdhrit. Mendoj që, larg o Zot që urdhërdhënësi lajthit dhe ai për shkak të urdhrit ka fuqinë ligjore, pra mbart plotfuqishmërinë. Vetë dispozita vjen në kundërshtim me nenin 27 të Kushtetutës së Shqipërisë, e cila ka koncept tjetër për urdhrin. Nuk mund t’i jepet forcë kushtetuese një urdhri. Në raport me atë çka ka miratuar Kuvendi i Shqipërisë për ndryshimet e Kodit Penal, ajo bie haptazi me një vendim të Gjykatës Kushtetuese, vendimi nr. 19 të vitit 2011 i cili në mënyrë shteruese ka artikuluar se çfarë përbën urdhri dhe cili është kufizimi i i tij ligjor”.
Nga ana tjetër, Hazizaj thekson se këto ndryshime në Kodin Penal janë bërë të pakonsultuara me aktorë që merren me jurisprudencë, janë ndryshime të nxituara. Për më tepër ai shtoi se këto dispozita të ndryshuara në Kodin Penal, kam bindjen që Gjykata Kushtetuese do i rrëzojë. Hazizaj tha se qeveria po merr më shumë të drejta kushtetuese seç duhet dhe se nuk mundet Kuvendi kushtetushmërisht të marrë nisma që duan kohën e tyre të zbatimit dhe maturimit.