Ndryshimet në Kodin Rrugor: zero alkool, heqje e patentës dhe kufizime për drejtuesit e rinj, jo telefon në biçikletë
Kuvendi i Shqipërisë miratoi të enjten me 84 vota disa ndryshime në Kodin Rrugor, të propozuara nga kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, dhe deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe.
Ndryshimet kanë në fokus rritjen e sigurisë rrugore, përmes rregullave më të qarta dhe më të forta, veçanërisht për drejtuesit e rinj të automjeteve.
Ato parashikojnë ndalimin e konsumit të alkoolit për shoferët e rinj gjatë drejtimit të mjetit për dy vite nga marrja e patentës, duke vendosur kufirin 0.0% alkool në gjak për këtë kategori drejtuesish.
Gjithashtu, për shoferët e rinj parashikohet kufizim i shpejtësisë në 90 km/h në autostradë dhe 80 km/h në rrugët jashtë qendrave të banuara. Nëse brenda dy viteve nuk kryhen shkelje, këto kufizime hiqen. Në rast se kryhen dy shkelje brenda vitit gjatë periudhës së provës, ajo zgjatet edhe me një vit, duke rifilluar kufizimet. Po ashtu, ndalohet drejtimi i mjetit nga ora 24:00 deri në orën 06:00 pa praninë e një drejtuesi shoqërues,
i pajisur me leje drejtimi prej të paktën 3 vjetësh.
Sipas ndryshimeve, parashikohet që mosrespektimi i kufizimeve të përcaktuara në këtë pikë dënohet me gjobë administrative nga 5 mijë lekë deri né 15 mijë lekë dhe pezullimi i lejes së drejtimit për një muaj dhe heqja e pikëve sipas përcaktimeve të akteve ligjore në fuqi.
Sipas vendimit, pas përfundimit të periudhës së provës prej 24 muajsh pa shkelje, kufizimet hiqen automatikisht. Për drejtuesit e mjeteve, të cilët gjatë një viti konstatohet se kanë kryer dy shkelje të normave të sjelljes ose të kufizimeve të përcaktuara në këtë pikë, si dhe u janë hequr të paktën dhjetë pikë, periudha e kufizimeve zgjatet edhe me 1 një vit.
Ndryshimet parashikojnë gjithashtu masa më të ashpra ndaj shkelësve të përsëritur të rregullave të qarkullimit rrugor. Sipas Kodit të ri, patenta mund të hiqet përjetësisht për drejtuesit e mjeteve kapen në mënyrë të përsëritur duke drejtuar automjetin nën efektin e alkoolit, me nivel mbi 0.5 gram për litër në gjak.
Po ashtu, ndalohet përdorimi i celularit në dorë edhe për biçikletat, motorët elektrikë dhe monopatinat. Personave që kapen pa patentë në timon u shtyhet me një vit e drejta për t’u pajisur me leje drejtimi, ndërsa për të miturit kjo periudhë shtyhet me dy vite (nga 18 në 20 vjeç).
Një fokus i veçantë i është kushtuar edhe garave të shpejtësisë. Për shkelje të tilla, si dhe për qarkullim me shpejtësi të lartë pranë kryqëzimeve, shkollave apo gjatë orëve të natës, gjobat rriten nga 10-40 mijë lekë në 20-60 mijë lekë.
Gjithashtu, rregullat janë ashpërsuar edhe për drejtuesit agresivë të mjeteve që ndryshojnë shpesh korsinë, sidomos në zonat urbane, duke mos respektuar sinjalistikën dhe duke shfaqur sjellje josociale. Për këto shkelje, masa e gjobës që ishte nga 10 mijë- 40 mijë lekë dhe rritet nga 20 mijë deri në 60 mijë lekë.
Mbajtësi i lejedrejtimit të mjetit, të cilit gjatë lëshimit ose rinovimit të lejedrejtimit i është vendosur kushti për korrigjimin e të metave organike ose të aftësive të ulëta anatomike apo funksionale nëpërmjet syzeve optike ose aparateve të tjera të caktuara, është i detyruar t’i përdorë ato gjatë drejtimit të mjetit.
Paketa e re ligjore synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet evropiane në fushën e sigurisë rrugore, duke vendosur rregulla më të forta për drejtimin e mjeteve nën ndikimin e alkoolit dhe për shkeljet me rrezik të lartë për jetën e qytetarëve.
KOHA JONË SONDAZH

