Ndryshimi i brave të PD-së në Fier, Kapllanaj i përgjigjet Baçit: Zyrat u morën në dorëzim nga funksionarë të kësaj partie

Kryetari i Komanduar i degës së PD-së në Fier, Agron Kapllanaj ka sqaruar incidentin e ndryshimit të bravës së zyrës së PD-së në këtë qytet, duke thënë se zyra që u mor në dorëzim nga funksionarë të kësaj partie të ardhur nga selia qendrore.

“Zyrën e PD, dega Fier e kam marrë në dorëzim nga funksionarë të PD-së në qendër, të cilët kanë ardhur me një procesverbal dhe më kanë dhënë edhe çelësat, por edhe bazën materiale. Nëse jeni të interesuar ju tregoj edhe procesverbalin. Kjo është një zyrë e PD-së dhe e demokratëve të Fierit”, tha kreu aktual i PD-së, dega Fier.

Në një deklaratë për mediat, Kapllanaj tha se deri në zgjedhjet e tjera për kryetar të degëve, do të jetë ai në krye të saj. Në lidhje me ndryshimin e bravës së zyrës, Kapllanaj tha se nuk e kupton dot se nga ka ardhur ky shqetësim, për vetë faktin se këto janë zyra të PD-së, dega Fier.

“Ish-kryetari i kësaj dege ka më shumë se një vit që ka dhënë dorëheqjen dhe ky vend ka qenë vakant. Me vendim të Kryesisë të Partisë Demokratike unë jam komanduar të drejtoj këtë degë deri në zgjedhjet e ardhshme”, tha ai.

Luan Baçi i shoqëruar nga anëtarë të degës së PD-së Fier janë paraqitur në ambientet e Komisariatit dhe e kanë denoncuar ndryshimin e brave të zyrës. Dyshohet se shkak për ndërmarrjen e këtij veprimi, janë bërë takimet e foltores së ish-kryeministrit Sali Berisha. Kohë më parë vetë Luan Baçi sqaroi se nuk ishte shkarkuar nga posti i kryetarit të degës. Ai foli për një takim me Lulzim Bashën dhe kërkesën e kryedemokratit që ta zëvendësojë me Agron Kapllanaj.

SHKARKO APP