Ndryshon mosha e daljes në pension, rritet vjetërsia në punë për burrat
Këtë vit ndryshon mosha e daljes në pension për gratë si dhe vitet e vjetërsisë në punë për burrat. Kjo rritje është një vazhdimësi e skemës së pensioneve të miratuar në 2015. Reforma cakton një rritje graduale të moshës së pensionit si për gratë ashtu edhe për burrat. Një grua duhet të jetë 61 vjeç e 10 muaj, në mënyrë që të përmbushë kriteret e daljes në pension.
Me ndryshimet që iu bënë ligjit “Për sigurimet shoqërore”, parashikohet një rritje e moshës së daljes në pension me dy muaj në vit, duke u bërë 63 vjeç në vitin 2032. Më pas do të nisë rritja e moshës edhe për burrat, për të shkuar në 67 vjeç në vitin 2056, për të dyja gjinitë.
Ata ndikohen nga rritja e viteve të vjetërsisë në punë. Nëse një burrë, në dhjetor të vitit 2014 duhej të kishte 35 vite vjetërsi, nga data janar 2025 duhet të ketë 38 vjet e 8 muaj. Sipas formulës, pensioni përbëhet nga një shumë bazë, që është e barabartë me pensionin social, shumëzim vitet e sigurimit që ka çdo person, pjesëtim vitet e vjetërsisë në punë. Marrë nga /A2cnn/