Në 25% të QV, votuesit nuk gjetën emrin

 

Në 25% të qendrave të votimit kishte qytetarë të cilët nuk mundën të votonin, pasi nuk e gjetën emrin e tyre në listën zgjedhore. Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme e Demokraci të Qëndrueshme (KZLNDQ) prezantoi sot raportin paraprak, lidhur me mbarëvajtjen e procesit të votimit në të gjithë vendin.

KZLN bëri me dije disa nga parregullsitë që, u vunë re në 12 orët që u zhvilluan votimet në vend. Ky koalicion thekson se, në bazë të raportimeve nuk ka patur gabime të rëndësishme procedurale. KZLN raporton se, 10 % e qendrave të votimit nuk u hapën me numrin e duhur të komisionerëve, ndërsa në 17% të tyre nuk u shpërndanë kopjet e procesverbalit të vulave të sigurisë.

Një problem i shtruar nga anëtarët e këtij koalicioni ishte numri i ulët i grave, të cilat ishin angazhuar si komisionere ose kryetare të komisionit të qendrave të votimit. Ndërkohë, votimi i fshehtë për personat me aftësi të kufizuara, në 57 % të qendrave të votimit nuk u realizua dot.

Deklarata e plotë e KZLN:

Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme e Demokraci të Qëndrueshme (KZLNDQ) prezantoi sot raportin paraprak në lidhje me gjetjet e vëzhgimit të procesit të votimit, të cilat pasqyrojnë situatën në të gjitha Qendrat e Votimit në mbarë vendin.

“Bazuar tek informacioni i marrë nga vëzhguesit e pavarur të KZLNDQ, nuk ka patur gabime të rëndësishme procedurale / ose shkelje gjatë procesit në ditën e zgjedhjeve nga hapja e qendrave të zgjedhësve, procedurat e votimit dhe mbylljes së qendrave të votimit”, tha Mirela Arqimandriti, drejtuese e skuadrës së KZLNDQ-së.

“KZLNDQ shpreh shqetësim në lidhje me faktin që, gjatë procedurave të hapjes në 17 % të rasteve komisionerët e qendrave të votimit nuk shpërndanë kopjen e procesverbalit të vulave të sigurisë te vëzhguesit e partive politike ” – tha Dhimitër Gjodede, analist pranë KZLNDQ-së.

10 % e qendrave të votimit nuk u hapën me numrin e duhur të komisionerëve.

“Në 37 % të qendrave të votimit nuk kishte gra komisionere dhe vetëm në 15 % të qendrave të votimit gratë kishin detyrën e kryetares së komisionit të qendrës së votimit. Në 57 % të qendrave të votimit, votuesit me aftësi të kufizuar nuk mundën të hidhnin votën e tyre në mënyrë të fshehtë, pasi këto qendra ishin të papërshtatura për ta", tha Erjona Mulellari, koordinatore e përgjithshme e vëzhguesve.

“Në 90 % të qendrave të votimit, partitë e mëdha, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kishin vëzhguesit e tyre, ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim kishte vëzhgues në 80 % të qendrave të votimit”, tha Dhimitër Gjodede, analist pranë KZLNDQ-së.

“Është shumë shqetësuese që në 25 % të qendrave të votimit pati votues që nuk gjetën emrin në listë”, tha Dhimitër Gjodede, analist pranë KZLNDQ-së.

SHKARKO APP