Në ”arrest shtëpie” prej 6 muajsh, Kaso: Dy arsye përse nuk digjet mandati parlamentar i Berishës

Sekretari për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso thotë se mandati i Sali Berishës nuk do të digjet për shkak të masës së arrestit. Ai shpjegoi se ka dy elementë mbi të cilët bazon gjykimin. Njëri lidhet me shkaqet e mungesës në sallën e Parlamentit, që sipas Kushtetutës, duhet të jetë pa arsye.

“Kushtetua e thekson pa arsye. Ne kemi kemi një qëndrim politik të konsoliduar që zoti Berisha qëndron në një burgim politik të padrejtë. Zoti Berisha ka zgjedhur që ta ushtrojë mandatin e deputetit dhe në dijeninë time ka kërkuar 3 herë, që të marrë pjesë në seancat e Kuvendit, leje që i është mohuar”.

Elementi i dytë, sipas Ivi Kasos, lidhet me ushtrimin e funksioneve të deputetit, të cilin thotë se Berisha e ka ushtruar edhe në kushtet e arrestit të shtëpisë.

“Ka zgjedhur atë mandat ta ushtrojë në forma të tjera, pra nëpërmjet komunikimit me zgjedhësit, duke qenë dhe pjesë aktive e iniciativave të tjera paralamentare, siç janë ato të propozimeve legjislative, kërkesë për interpelancë, të gjitha këto ligji për statusin e deputetit i përcakton si aktivitet parlamentar. Pra zoti Berisha është duke ushtruar aktivitetin parlamentar”.

Për këto arsye, krahasimi me rastin e ish-zëvendës Kryeministrit Arben Ahmetaj, nuk qëndron sipas Kasos. E teksa Berisha vijon të qëndrojë në arrest në shtëpi, zgjedhjet po afrohen dhe Kaso kërkon reflektim nga mazhoranca për të përfunduar reformën zgjedhore.

“Ka një ngecje dhe hezitim nga ana e mazhorancës të cilën shpresojmë qenë këtë periudhë që ka mbetur ta thyejmë dhe të mbivendosim interesin publikimi interesin elektoral të PS. Po të ketë vullnet nga pala tjetër mund të bëjmë diçka”.

SHKARKO APP