Në Durrës Agron Duka shpall kandidaturën për Kryetar Bashkie i partive të djathta
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu shpalli sot kandidaturën e partive të djathta, pra të opozitës, për qytetin e Durrësit. Agron Duka i cili është deputet i Partisë Republikane sot në Parlamentin e Shqiperisë, do të kandidojë në qytetin bregdetar për të djathtën. Duka njihet si një njeri me shumë personalitet dhe profesionist. Ka qenë Ministër Bujqësisë gjatë qeverisjes së Partisë Socialiste para vitit 2005 dhe pas ftohjes me kryetarin e PS-së Edi Rama kaloi me Partinë Republikane, ku fitoi ndjeshëm në qytetin e Durrësit.
Ai ka një përkrahje të madhe në qytetin bregdetar dhe mbetet kandidaturë fituese. Agron Duka është vëllai i Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka dhe janë një ndër familjet me me peshë dhe emër të mirë në Durrës. Por ajo që komplikon garën për të majtën në këtë qytet, pas shpalljes zyrtare të kandidaturës sot nga Fatmir Mediu në media, mbetet se PS do të këtë përballë figurën më të spikatur të së djathtës, porse edhe të majtës, pasi Duka ka miqësi, lidhje si dhe ka qënë pjesë e strukturave socialiste.
Duket se opozita e filloi lojën me PS-LSI me një gol në avantazh, ende pa filluar zgjedhjet. Agron Duka është kandidaturë fituese, për shkak të reputacionit dhe integritetit të spikatur të tij, por edhe se shumë socialiste e shikojnë si njeri të tyre, pasi ka bërë shumë pune e ka qenë korrekt edhe kur ishte ministër socialist. PD dhe partitë e djathta filluan sulmin me një "sulmues që bën gola", dhe jo se është vëllai i Presidentit të Futbollit Shqiptar, porse Agroni mbetet një politikan fjalëmbajtës dhe korrekt me ligjin e moralin njerëzor. Pas Durrësit pritet që Tirana dhe Lezha të kenë kandidatët e tyre të fortë të së djathtës.
E majta duhet të zbresë nga "Olimpi" dhe të mos shikoje nga lart, por të përzgjedhë emra që i do populli e jo që duan kupolat. Shembulli i Greqisë, ndonëse ishin zgjedhje politike, tregon se populli është mërzitur nga emrat e dikurshëm e që nuk mbajnë fjalët. Pavarësisht se zgjedhjet e këtij viti në Shqipëri janë zgjedhje vendore, por në thelb do të jenë politike. Bile nëse fiton opozita atëherë do të ketë kërkesë për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe bllokim të qeverisë. Edi Rama dhe Ilir Meta janë para një shansi që të gjejnë edhe ato njerëz të zotë e që i do populli. Durrësin, të majtët, duket se e kanë humbur ende pa filluar!
KOHA JONË SONDAZH

