Në garë për prokuror në Prokurorinë e Posaçme, raportojnë 4 kandidatët

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka zhvilluar ditën e sotme intervistat me katër kandidatët Dorina Bejko, Dritan Prençi, Sotir Kllapi dhe Vladimir Mara, kandidatë për prokuror në Prokurorinë e Posaçme.
Në kuadër të masave të ndërmarra për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19, intervistat me kandidatët janë zhvilluar përmes platformës on-line ndërkohë që regjistrimin audio do të botohet në faqen zyrtare të Këshillit brenda 24 orëve.

Kandidatët kanë paraqitur para Këshillit një prezantim për formimin, eksperiencën profesionale dhe veprimtarinë e tyre ndër vite si dhe platformën e depozituar për vlerësim në Këshill. Anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar i kanë adresuar pyetje secilit kandidat, duke nxjerrë në pah aftësitë e tyre njerëzore, profesionale dhe administrative të kërkuara nga ky pozicion.

Për të siguruar një proces objektiv, transparent dhe gjithëpërfshirës, me synim plotësimin e Prokurorisë së Posaçme, nesër ditën e martë 19.05.2020, në orën 11.00, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të mblidhet në seancë plenare përmes platformës on-line, ku Komisioni i Posaçëm për vlerësimin e kandidatëve për Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, do të prezantojë raportin/relacionin e vlerësimit për secilin prej 4 kandidatëve në garë. Vlerësimi i kandidatëve nga ana e Komisionit realizohet mbi bazën e dokumentacionit që ata kanë depozituar pranë Këshillit duke marrë në shqyrtim elementët e vlerësimit të kriterit; aftësitë e treguara në hetim, përfshirë përdorimin e teknikave të posaçme të hetimit dhe qasjen proaktive te hetimi; në ndjekjen penale, përfshirë formulimin e akuzës dhe përfaqësimin në gjykatë; dhe në konfiskimin e produkteve të veprës penale dhe të aseteve, sipas Kodit të Procedurës Penale ose ligjit antimafia (Kriteri 1) dhe të kriterit: vendosmëria e treguar në përballimin e vështirësive, presioneve e rreziqeve dhe integriteti i posaçëm profesional, përfshi etikën profesionale, ndershmërinë, paanësinë, sigurinë dhe konfidencialitetin e treguar nga kandidati.

Pas miratimit nga Komisioni të shkallëve të vlerësimit për secilin kriter të parashikuar nga rregullorja, për secilin kandidat, Kryetari i Komisionit harton raportin përfundimtar dhe ia paraqet atë Kryetarit të Këshillit, i cili thërret mbledhjen plenare dhe u vendos në dispozicion anëtarëve, raportin/relacionin e Komisionit. Këshilli bën vlerësimin përfundimtar të kandidatëve dhe renditjen e tyre sipas nenit 16 të Rregullores për Prokurorë për Prokurorinë e Posaçme. Vlerësimi dhe renditja e kandidatëve miratohet me shumicën e votave të Këshillit.

SHKARKO APP