Në kufi do ngrihen kampe pritëse për refugjatët. A është Shqipëria në rrezik?
Refugjatët e huaj e kanë cilësuar Shqipërinë si “rruga e artë” e kalimit drejt vendeve të BE-së. Sirianët, irakenët, algjerianët, pakistanezët dhe afganët kanë “pushtuar” vendin tonë.
Ministria e Brendshme ka propozuar ndryshime në ligjin për azilantët, ku me propozimet e reja lehtësohen procedurat për përfitimin e statusit të refugjatit dhe mbrojtjes ndërkombëtare. Zv/ministrja e Brendshme, Rovena Voda, thotë se me ndryshimet e reja do të forcohen kapacitetet në kufi, duke u ngritur kampe në kufi, do bëhet intervistimi i shpejtë i tyre, ku në fokus do jenë kriteret për personat që marrin azilin.
”Është forcimi i kapaciteteve pritëse në kufi. Qëndra të përkoshëm të pritjes së emigrantëve”. Voda thekson se ligji i ri pritet të rrisë identifikimin e numrit të emigrantëve të paligjshëm në vend, shmangien e lëvizjeve të tyre në territor, si dhe specifikim më të saktë të peronave që kërkojnë azil politik.
Ligji pritet të jetë i ashpër për një kategori të refugjatëve të cilët janë shkelës dhe do u refuzohet kërkesa për azil, por dhe do vendosen kufizime të lëvizjeve nga qendra e azilantëve në Babrru. Projektligji i ri është ende në fazën e propozimit, ndërsa pas konsultimeve në komisionet parlamentare, pritet të votohet në kuvend.
Sot Policia e Shtetit, bëri me dije se ka vënë në pranga 5 persona të cilët trafikonin emigrantë të paligjshëm drejt vendeve të BE-së, ndërsa 1 person u shpall në kërkim dhe 1 tjetër u procedua në gjendje të lirë. Gjatë operacionit u bllokuan 17 shtetas nga vendet e treta, të cilët kishin hyrë ilegalisht nëpërmjet kufirit jeshil me shtetin grek dhe po transportoheshin kundrejt fitimit në drejtim të kufirit me Malin e Zi, me qëllim një nga vendet e BE-së.