Në listën e 25 vendeve të botës që duhet vizituar, Shqipëria një perlë ballkanike
Këtë mëngjes, kryeministri Edi Rama ka uruar ndjekësit për një ditë të mbarë me një artikull të revistës prestigjioze britanike të udhëtimeve ”Condé Nast Traveller”, që e rendit Shqipërinë në vendin e 10 mes 25 vendeve të botës që nuk duhen humbur pa u vizituar edhe në vjeshtë.
“Mirëmëngjes dhe me renditjen e Shqipërisë me numrin 10 mes 25 vendeve të botës për të mos u humbur pa u vizituar edhe në vjeshtë nga prestigjiozja britanike e udhëtimeve Condé Nast Traveller, ju uroj një ditë të mbarë”, shprehet Rama teksa ka shpërndarë artikullin që e quan Shqipërinë një perlë ballkanike.
”Mund të mos jetë ende ”Kroacia e re” por edhe kjo është pjesë e qasjes, pasi kjo perlë ballkanike deri tani ka mbetur kryesisht jashtë vëmendjes. Gjithmonë do të gjendet ndonjë aventurier i guximshëm, i gatshëm për të qenë i pari. Kështu pra, në Alpet e virgjëra shqiptare, Katerina nga Bruklini dhe partneri i saj shqiptar menaxhojnë një shtëpi në fermë me pesë dhoma të quajtur “Hotel Rilindja”, një oaz komod mes majave dhe livadheve, ku gjatë mbrëmjeve ka festa me mish dhie të pjekur dhe troftë rezervuari të freskët”, thekson revista.
Ose mund të shkoni në Rivierën Shqiptare për rërën e artë dhe ujin e kthjellët mes ngjyrës blu dhe të gjelbër që lag limane të thepisura. Në verë, plazhet janë të mbushura me njerëz që kanë ikur nga Tirana por në shtator ata janë përsëri në punë, ndërsa moti vazhdon të jetë Mesdhetar dhe Adriatiku i ngrohtë.
Revista prestigjioze e rendit Shqipërinë mes 25 destinacioneve kryesore të botës për turizmin, ku përfshihen mes të tjerash edhe Stambolli, Buenos Airesi, San Franciskoja, Polinezia Franceze, Japonia, Lisbona, Ibiza, Nju Jork, Siçilia, Korfuzi, Santorini, Budapesti dhe Barcelona”, shkruan ”Condé Nast Traveller”.