Ne nuk jemi të ndotur, ne jemi të pistë
Nga Mentor Kikia/Ndryshimet në ligjin “Për ndalimin e importit të mbetjeve”, rindezën debatin e madh rreth importit të “plehrave”. Përtej “lajthitjes” politike të mazhorancës që miratoi të njëjtin ligj që e kishte shfuqizuar 3 vjet më parë, mendoj se pati një mungesë totale informacioni. Çfarë do të importohet konkretisht? Sa lloje lëndësh(unë refuzoj ta quaj plehrë një shishe uji plastike, të ndarë veçmas nga mbetjet organike, apo metalet që shiten anëembanë botës për skrap)? Nga do të vijnë dhe si do të kontrollohen? A do të ketë kufizim në import apo jo? Në vend të këtyre sqarimeve, plasi sërish beteja politike me plehra e helme që do të na derdhen rrugëve.
Por unë dua të rikthej në vemendje çështjen e plehrave të vërteta, të atyre që kanë pushtuar vendin tonë nga maja e malit deri në breg të detit, e që nuk mund të riciklohen sepse janë plehra me tërë kuptimin e fjalës dhe nuk bëjnë as për riciklim. Ndarja e re territoriale ka dështuar thuajse totalisht në qeverisjen e ish komunave, fshatrave. Edhe atje ku kishte një farë infrastrukture për mbledhjen e mbeturinave, ajo është prishur dhe fshatrat po qelben. Mbeturinat po hidhen me keq rrugëve, kanaleve e lumenjve, duke ndotur për pasojë të gjitha zonat e rrjedhës së ujërave.
Jemi në një situatë katastrofike, që nuk zgjidhet as me ushtri, as me ligje që lejojnë apo ndalojmë importin e lëndëve të riciklueshme. Jemi në kushtet kur ne nuk i mbledhim fare mbeturinat, pale ti riciklijmë. Ne nuk jemi të ndotur, pasi ndotja është koncept industrial dhe në këtë tregues jemi më mirë se cdo vend i rajonit, por në jemi të pistë, të qelbur këmbë e kokë.
KOHA JONË SONDAZH

