Në përvjetorin e ndarjes nga jeta të Havzi Nelës, martirit të zërit të shpirtit
Nga Albert Vataj
Nga pak na shtrëngon të gjithëve në fyt ai litar që të shteri frymën e fundit Havzi Nelës, asaj pasmesnate të 10 gushtit 1988. Sot pas kaq vitesh qysh prej atij akti mizorie, sekush ndër ne e ndjen peshën e rëndë të atij krimi. Ata që kanë moshën e këtij ekzekutimi do ta kenë të vështirë të besojnë mbi absurdin që çoi në litar një poet të andshëm, një mësues të përkushtuar, një malësor atdhetar. Me vitet nuk shuhet kobi i asaj nate. Në mish na ngulet thellë e më thellë kafshimi i asaj vdekjeje, fikja e atij shpirti të dlirë.
Vijmë në këtë përshpirtje dhe përulemi me nderim para përmendores së këtij poeti si në një urdhnesë të shenjtë shugurimi. Behim në ndërmendjen e përvjetorit të shuemjes së gjalli të poetit, tuj kumtu mirënjohje për krejtçfarë ai e shkroi me gjak mbrojti me kalvar. Ngucemi tash me rijetu copëza të atij mundimi të pashoq hekash dhe lëngimesh që gjaset me i gatu vetëm havani i terrtë i kobit të kuq. I vetmi krim që ky za kushtrues kishte konsumu, dhe për të cilën ai shkoi në litar në vitin 1988, ishte vullnesa për me ia kushtu veten mish e shpirt shërbesës së fjalës së lirë.
I pamposhturi i kushtrimit të lirisë, i kumtit ngadhënjyes të poetit, ishte Havzi Nela. Varra e mbrame e bishës në agoni. Zemra e thyeme e një shtati të drobitun. Zani gjëmues i një shpirti ngjadhnjimtar.
Nata kobzezë e 10 gushtit të motit 1988 e thuri me mraz mantelin e trishtimit, që do të lëshohej mbi qytetin verior, si një qefin morti, bashkë më me terrin e qorruem. Në yje i’u shndërrue grahmat e fundit atij shpirti ngadhnjyes. Me dritën që lindtte s’kish mbetun kurrçka gjallnuese në të, veç kurmit hekakeq të martirit, që derdhej në plisin e përpushun lëngimesh në trekëndësh. Në kup të qiellit kuja i’a lëshoi në atë zgjim tragjik të atij qyteti që strukej nën peshën e heshtjes. Sy e zemra u qorrën në këtë manifestim frike dhe paniku që mbillte kjo varrë mesjetare që rrëmihte të shkumen, të tashmen e të gjithmonshmen e vetëdijes së njerëzisë, kësoane e gjithsekënd. Në atë prehje trishtane që kalli tmerr shtati i shterrun hekash i poetit që tuj ken “armik i popullit dhe partisë” ishte bzamja ma kushtrues që ajo ndërkohje kishte mujt me e lëshu potershëm. Klithmë, e cili theri si dhimbë shgjetare atëditë e sot. Kësohere dritëlëshuesi i dijes e kumtuesi i kremtes së lirisë, kish da mendjen me ik, jo si më heret “zemërplasun” por zëkallun e oshëtues në ndërkohje.
As tokë nuk i dhan në pushimin e pasosun, Havzi Nelës. Deri në njat cak kishte mujt me mbërri makabriteti i lëshuem në duar të zellshme gjakatarësh, mbi të cilët nderej i friguem ajo bishë e plagosun. E derdhën mish e kocka, poetin në vrimën e një shtylle, mes ferrave. Me gurë dhe mrryl e mbuluen atë grumbull të mbetun prej së gjalli. Pa varr e lanë, pa kuja, pa lot e degdisën në tjetër botë. Kaq mundi me gadit zelli i përbinshëm i një regjimi. Vetëm kaq, me diftu, i’a behu mendja djallëzore e dora e gjakut të prishun.
Lirinë kishte krejtçka Havzi Nela në të gjallë e në amshim pati si armë, të cilën nuk e lëshoj prej dore kurrnji dekik. Poezinë kishte pishtar e nuk ndali së lëshumi tmerr dhe dritë gjithkah kamba e tij shkeli e zemra e tij kalli. Përkundër asnjë godi nuk mësoi të hesht ai zë gjëmimtar. Qeli, pranga, tortura, e farkëtuan atë shpirt lirie, atë shkrepëtim që ndrit udhën shtegtarit atëditë e sot.
Havzi Nela, do të mbamendet si shembulli më vetanak i mizorisë së kuqe në agoni, është dëshmia më ngjethëse që ka lënë diktatura atëhershme. Si djalli nga temjani u përndoq ky korife i mendimit të lirë, kjo pëshpërimë gjëmimtare e ngulmit për të dëshmuar në një kohë të mraztë vitalitetin e një vullnese të dlirë.
Golgota e mundimeve të këtij Prometeu të dijes u dogj më flakën e dritës që kalli vargjet e tij të zëshme liberatore. Fatkobi i poetit tek ai nuk preku ndonjëherë ngjashmëri të tjetera, të njimendta në atëhohje. Tehu i gjakimit të së keqes duke e shpuar tejpërtej ndër rrufe përgjimesh kobzeza, ishte derdhur mbi të pamëshirshëm dhe nuk iu shkoq deri në të mbramë të frymës në konop. Përdnjekja e kalli këtë zë liri e në flakët e ferrit të kuq me të cilat u ndesh dhëmb për dhëmb. Si Ante qëndroi ai mbi zemëratën e shtërzishme të motmotit. Nëpër shkulmet e këtij marazi ai mrujti apogjeun e shpirtit. Krejtçfarë është thënë për këtë shpirt rebel, dhe ka bërë me pasion të shenjtë ky ngulm lirie është një vullnesë e dlirë, një shëmbëllim që ngucat. Përkundër tançka ka ndërzy atë bishë të përbindshme komuniste, nuk e ka tut, nuk e ka ndal, nuk e ka step atë yrysh tokësor, më u ndesh me forcat më të errta të Hadit komunist. Ai qëndroi në kambë, në të gjallë e në të vdekun. Mundimet e këtij shpirti sakrificash, e këtij kushtrimi të zëshëm të lirisë, nuk kanë shoq.
KOHA JONË SONDAZH

