Në takim me Avokaten e Popullit të BE-së, Shabani: Koha për standarde reale transparence
Avokati i Popullit i Shqipërisë dhe njëkohësisht Presidenti i Rrjetit të Avokatëve të Popullit të Mesdheut (AOM), Endrit Shabani, zhvilloi një takim zyrtar me Avokaten e Popullit të Bashkimit Evropian, Teresa Anjinho.
Sipas njoftimit të institucionit të Avokatit të Popullit, biseda u përqendrua te roli i institucioneve mbikëqyrëse, transparenca në përdorimin e fondeve të Bashkimit Evropian dhe nevoja për të afruar standardet e llogaridhënies publike me ato të BE-së.
Teresa Anjinho ka marrë së fundmi drejtimin e këtij institucioni evropian, pas një karriere të gjatë në politikë dhe administratë publike. Më herët ajo ka mbajtur poste të rëndësishme në Portugali, duke shërbyer si deputete dhe si Sekretare Shteti, si edhe si anëtare e Komitetit Mbikëqyrës të OLAF, Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit.
Sipas Avokatit të Popullit, përvoja e saj në pozicione të larta shtetërore përbën një garanci për ushtrimin e një mbikëqyrjeje të pavarur dhe me autoritet ndaj institucioneve dhe agjencive të Bashkimit Evropian.
Gjatë takimit, Endrit Shabani theksoi se respektimi i standardeve të BE-së në administratën publike nuk duhet të shihet vetëm si një objektiv për momentin kur Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por si një detyrim që duhet të zbatohet sa më shpejt në praktikë.
Në këtë kuadër, Avokati i Popullit shprehu mbështetjen për nismat evropiane që lidhen me transparencën dhe mirëadministrimin, duke rikonfirmuar angazhimin për një bashkëpunim të ngushtë me institucionet e Brukselit, me synimin që standardet e qeverisjes së mirë të forcohen edhe përtej kufijve aktualë të BE-së.
KOHA JONË SONDAZH

