Në vend qarkullojnë 1.63 miliardë lekë! Paraja jashtë bankave, rekord këtë vit
Pas rekordit të shënuar në qershor, të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se muajin e shkuar paraja “cash” u rrit në mbi 409 miliardë lekë. Me kursin aktual të këmbimit kjo shumë do të ishte gati 3.9 miliardë euro.
“Në mungesë absolute është mungesa e kontrollit dhe vëmendjes. Kjo lidhet me interesit e shtuar të atyre që kanë përjetuar ditë të mira nga qarkullimi i parasë jashtë sistemit bankar”, tha Flobens Dilaveri, ekspert për ekonominë.
Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se krahasuar me korrikun e një viti më parë, sasia e parave jashtë bankave është zgjeruar me mbi 34 miliardë lekë. Sasia kaq e lartë e parasë jashtë kontrollit të bankave është rrezik potencial i pastrimit të parave dhe arsyeja kryesore e deformimeve në kursin e këmbimit.
Shqipëria ka nivelin më të lartë të parasë jashtë bankave se shtetet e tjera të Rajonit dhe Evropës. Në Eurozonë, sipas të dhënave nga Banka Qendrore Evropiane, niveli i parasë jashtë bankave ishte rreth 9 për qind e totalit. Në vendet e rajonit treguesi është në nivelin 10 për qind.