Nënë Fatua e Lazaratit dhe qeveritë e hashashit…

Nga Kristo Mërtiri/Atë plakë të thantë e të mençur, me humor të hollë e zemërqëruar, e njoha vonë këtu në Tiranë. Vinte rrallë, ngadalë e pa zhurmë te kafeneja e Tahos, njërit prej djemve të saj. Më dukej sikur po më krrente sadopak mallin e mëmës, që nga ecja, veshja e gjer te gjestet dhe fjala kursimtare. U gëzohej nipërve dhe mbesave. Ndërsa Lilon, nusen dibrane e vlerësonte shumë dhe e donte me shpirt. Fjalën e keqe nuk e lëshonte kollaj. “Biro, nusja e djalit është si syri i ballit. Lum’ kush e mat dhe e peshon kështu !…”. Por erdhi një ditë e hidhur mesgushti. Dhe nënë Fatua, lerë e rritur në Lazarat, nuk i ngriti më qepallat që ranë mbi dy pika lot. Iku në atë botë me zemrën plot. Iku në paqe me veten dhe të tjerët. Ndërsa mua më ka mbetur e pashlyer një bisedë e këndshme me të. E ngacmova për vendlindjen e saj, për namin jo të mirë që po përhapnin ekranet, mikrofonat dhe faqet e gazetave. Një nam që vërtitej me kulm e themel rreth hashashit pushtues të atij fshati me emër e jo dosido. Por politika, me një dorë i hidhte dhe me tjetrën i priste! Arriti të përdorej edhe si top futbolli nëpër lojërat e pista elektorale…Veçse nga goja e saj unë nuk dëgjova asnjëherë fjalët : kanabis, drogë, hashash, miell, ilaç zengjini …

-E, ku të kumbisen, a të keqen ! Punë jo, kurbet jo, para jo, atje ha pula gurë…shyqyr që u erdhi “borëbardha” në derë me shumë para e me bela dhe nuk i la të hante njeriu-njerinë. Mirëpo ajo vajza kanakare prej bore po i prish me Qeverinë, por ama po u ndreq ekonominë (buzëqeshja e nënë Fatos i jepte një nur të veçantë fytyrës dhe muhabetit). Dëgjo mua, fukarallëku i miletit nuk largohet vetëm me zinxhirë e burgje. Boll ka hequr në kurriz ai fshat nga e shkuara…Ku të kumbisen, a të keqen nëna ?! Të mëdhenjtë e qeverive janë bërë si ajo daullja që e ka zërin të lartë, por brenda është bosh. Dora e shtetit tundet me fjalime lumë këtu në Tiranë. Është shumë larg nga e thëna në të bërë. Prandaj njerëzia në hall po i vardiset “borëbardhës” nazemadhe…

Lazarati u bë qytet dhe kryeqytet i hashashit. Kur nisi vërtet beteja qeveritare në atë fshat, “Borëbardha” na u duk si ajo bora në maj që do ikte shpejt dhe pa u kuptuar. Atëherë mori udhë edhe një kod i veçantë  lokal në komunikim. Kur pyetjet vërshonin natyrshëm se si do të shkonte filli më tej nëpër stinë mbjelljesh, shërbimesh, korrjesh, transportimesh e shitjesh, befas plaste me pakëz shpoti një nënqeshje bashkë me përgjigjen përmbyllëse : “Si të marrë “bora”!…Domethënë, si do rrjedhin ujërat e rrethanat dhe a do të jetë mot i mirë a i keq përballë shtetit ligjor. Po çfarë ndodhi vallë ?

Swiss Digital Desktop Reklama

Sot është vështirë të gjesh male me borë. I ka mbuluar hashashi. Sepse siç thotë i mençuri: “Edhe dëbora është e bardhë, por e menderosin qentë !”. Shkurt, u fitua beteja me Lazaratin e ngrirë dhe humbën thellë betejën me Shqipërinë. Më shqip, ndoshta shpëtuan nga përroi i këtij fshati rebel, por ranë keq në lumenjtë e Republikës. Sot e themi me plot gojën: U bëmë republikë hashashi! Ai aksion i lavdërueshëm dhe me “goditje të përqendruar”, një ditë prej ditësh u katandis thjesht në një fasadë të neveritshme qeveritare. Koka e selektivitetit doli acik. Prangosja për “mungesë vigjilence” e ndonjë kryeplaku fakir në fshatra e zona të thella, më tepër u kthye në ushqim bajat për kronikat e zeza mediatike. Problemi mbeti pezull dhe ashiqare as në qiell e as në tokë ! Me sa duket, fitimet verbuese mbyllën sy e veshë “atje Lart”…Disa politikanë, qeveritarë e parlamentarë e bënë dorën lopatë, u treguan të pangopur e zhvatës të pacipë të parave pa djersë, rrëmbyes të votave e kolltukëve ekzekutivo-legjislative. Dhe Shqipëria jonë kapi maja të panjohura në botën e vërtetë demokratike : “Biznesmenët” dhe policët jesmenë, paskan përmbytur tempullin e fjalës popullore, Kuvendin e tharë dhe pa intelektualë!…

Swiss Digital Mobile Reklama

-Qeverisë rilindiste kush ia lidhi fort duart e këmbët përballë kësaj hataje kombëtare që po troket çdo ditë e më fort ?,- pyesin jo pa irritim dhe me plot të drejtë miqtë e mi vërsnikë e tepër fisnikë te Gryka e Këlcyrë-Mezhgoranit.-A e kujton Blushin kur iu vërvitën në grykë mediokrit, servilët bulcizënë dhe oligarkët e zinj mashtrues, kur i pagëzoi publikisht si “kanabistë” ? Dhe ja ku arriti injoranca e hajdutërisë kriminale ! Gënjeshtrave po u zhduket kallaji e s’fshihen dot. Se edhe vetë drapri nuk mund të futet në thes. Ben Blushi nuk ka drojë, flet troç e ua heq mirë dushkun fjalëve në Parlament e në media. Mjaft të tjerë dridhen e përdridhen, përtypen e lëpihen pa asnjë fije dinjiteti…Për shembull, përse nuk po bëhet asnjë takim a mbledhje e jashtëzakonshme Qeverie, Parlamenti, Komiteti i Sigurisë Kombëtare etj. institucione shtetërore ? Vallë, kujt i prishet terezia përballë Republikës së Hashashit ?…Madje ndonjë pehlivan gjoja u përpoq ta mohonte këtë mynxyrë e ta bënte hasha edhe vetë hashashin gjumëndjellës e gjumëdhënës për “gjeneratën tjetër” të Edi Ramës. (Këtu ndoshta shkon më shumë se kudo ajo sharja e shumënjohur: Të bëfsha gjeneratën!). Apo ishte thjesht xhelozi e sëmurë për atë fshat që kish gjetur hazinenë, thesarin e bollëkun e padëgjuar?! Sepse rrëfenjat shkuan gojë më gojë dhe vendi ynë sot u bë…përralla e botës! Gomonet e skafet po bëjnë kërdinë. Disa zyrtarë këllira, në mëngjes mbajnë fjalime, pështyjnë e hedhin mallkime mbi trafikantët, mbrëmave i fërkojnë e lëpijnë. Dhe zakonisht i “pikasin” kur ulërasin policitë e vendeve fqinje…

Njerëzit e thjeshtë ngrenë supet dhe pyesin: Euforia e Lazaratit, vërtet i bëri kacek , i dehu e u fali gjumë institucioneve shtetërore të quajtura Bashki, Prefekturë, Qeveri e Parlament? Apo u vunë drynat pa ethe gushti dhe mbajnë sehir nga veturat e vilat luksoze në bregdet e në male, nga jahtet dhe ekranet e gjelbëruara që spërkatin me pamje helmatisëse shpirtin e shqiptarëve të ndershëm ! Çuditem gjer në neveri kur dëgjoj e lexoj ndonjë burrë “zamani” që lëshon jargë nga studiot komode në kryeqytet dhe paska besim te ata kokëmish në krye të shtetit kanabist, se do na reformojnë e pastrojnë Drejtësinë… Do dëshiroja  ta pyesja publikisht e konkretisht : Këtë “republikë hashashi” kobzezë kush do e shkulë a përmbysë, vetëm ca taborë të policisë me kosa e çakmakë në duar ?! Njerëzit e zakonshëm janë velur nga qeveritë fjalëshumë e punëlumë, të cilat ngopen me lugë bosh dhe nuk dashkan të zënë “demin” e drogës prej briri. Apo ta shtyjmë me atë llafin aguridh, “nuk u bë kiameti e nuk u përmbys bota” ! Kush do i përgjigjet pyetjes ulërimë: Shqipërinë tonë halleshumë, kush e bëri “kryeqytet të hashashit” ? Edhe për këtë gjëmë do i bien gjoksit rilindistët?… Kjo klasë politike e korruptuar, kjo Qeveri e ky Parlament gazavaj ka dështuar herët. Tani që po shkruaj, mjaft liderë-kalanderë po shullëhen plazheve ku era e asaj bime keqbërëse sikur i përkund nëpër shezlongët buzë detit brenda e jashtë vendit. Mirëpo era nuk zihet në rrjetë… Nuk thuhet kot: Të gjithëve na mpihen dhëmbët nga thartira, kurse qeveritarëve, deputetëve e kadilerëve u mpihen nga…ëmbëlsira! Shumica kanë 25 vjet që janë vetë vali e vetë kadi… Por nënë Fatua e Lazaratit mbylli sytë e iku përgjithmonë, e paqme. I ndritë shpirti atje ku ka rënë! “Fukarallëku i miletit nuk largohet dot vetëm me zinxhirë e burgje”. Fjalët e saj melhem më trokasin herë pas here. Bashkë u ndamë duke qeshur e me përqafime. Sidomos kur bisedën e mbyllëm me një rrëfenjë të jetuar nga viset tona në Jug: “…Mbreti po takonte një patriot e luftëtar të vjetër nga Tepelena, që jetonte i vetmuar e i harruar në fshatin e tij.

-E, kapedan, si ja çoni andej, keni ndopak qetësi ?

-Për qetësi nuk qahemi. Tre xhandarë ruajnë tërë vendin…

Mbreti i kënaqur, e pyeti më tej:- Po si, xhanëm, nuk keni fare hajdutë në nahijen tuaj?

-Jo, s’kemi, se hajdutët i mblodhi Qeveria në Tiranë…

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?