Nënpresidenti amerikan JD Vance nuk e quan “luftë” atë që po ndodh me Iranin
Nënpresidenti amerikan JD Vance hodhi poshtë të enjten përdorimin e fjalës “luftë” për të përshkruar përplasjen e SHBA-së me Iranin, duke shmangur parashikimet se konflikti gjashtëmujor do të përfundojë para zgjedhjeve të nëntorit, kur republikanët synojnë të ruajnë shumicat e ngushta në Kongres.
“Nuk do ta quaja luftë. Aktualisht nuk ka të shtëna aktive”, tha Vance në një konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë, kur u pyet nëse luftimet mund të përfundojnë para zgjedhjeve të 3 nëntorit, shkruan AP, transmeton KosovaPress.
Deklarata e tij erdhi edhe pse Irani sulmoi të enjten aleatin e SHBA-së në Gjirin Persik, Kuvajtin, duke vazhduar hakmarrjen ndaj sulmeve amerikane në Iran në fillim të kësaj jave.
Sipas Associated Press, Vance tha se SHBA-ja kishte “përgjegjësi” të kryente sulmet pasi Irani vazhdonte të godiste anijet tregtare që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit.
Përpjekja e Vance për të minimizuar intensitetin e luftimeve tregon vështirësinë me të cilën përballet administrata e Donald Trumpit, ndërsa republikanët synojnë të ruajnë kontrollin e Kongresit. Konflikti, për të cilin Shtëpia e Bardhë fillimisht tha se do të zgjaste vetëm disa javë, ka rritur çmimet e karburanteve dhe inflacionin.
Vance tha se nuk dëshironte të vendoste “afate artificiale”, duke shtuar se nuk e dinte se kur do të përfundonte konflikti.
Administrata amerikane është përballur gjithashtu me kritika pasi në korrik riklasifikoi katër ushtarë të vrarë dhe dhjetëra të plagosur në sistemin e të dhënave për viktimat e Pentagonit. Ushtarët e vrarë ose të plagosur pas dështimit të një armëpushimi të shkurtër SHBA-Iran u vendosën në një kategori të re, të quajtur “Operacione jashtë vendit”, pasi fillimisht ishin përfshirë në bilancin e viktimave të luftës.
KOHA JONË SONDAZH

