Netanyahu: Houthis do të paguajnë çmim të lartë për sulmin me raketa

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu premtoi sot një përgjigje të ashpër ndaj një sulmi me raketa nga milicia Houthi e Jemenit e lidhur me Iranin.

“Ne jemi në një fushatë me shumë fronte kundër boshtit të së keqes të Iranit, i cili po përpiqet për shkatërrimin tonë”, tha Netanyahu në mbledhjen e tij javore të kabinetit.

“Këtë mëngjes, Houthit lëshuan një raketë tokë-tokë nga Jemeni në territorin tonë. Ata duhet të dinë se ne presim një çmim të lartë për çdo përpjekje për të na sulmuar”, theksoi ai.

Raketa balistike me rreze të gjatë shkaktoi aktivizimin e sirenave të sulmit ajror në të gjithë Izraelin qendror.

”Tingujt e shpërthimeve të dëgjuara në orët e para të së dielës ishin për shkak të përgjuesve të raketave izraelite”, tha ushtria, duke shtuar se po shqyrtonte rezultatin.

E përditshmja ”Jerusalem Post” raportoi se raketa ishte hedhur në drejtim të zonës metropolitane të Tel Avivit.

Sistemi i mbrojtjes raketore ”Arrow 3” me sa duket kishte dështuar të kapte predhën përpara se të hynte në atmosferë.

Vetëm në përpjekjen e dytë sistemi mbrojtës ”Arrow 2” arriti ta godasë atë mbi hapësirën ajrore izraelite.

Sipas raportimeve të mediave, fragmente raketash ranë në pjesë të ndryshme të vendit, duke përfshirë qytetet Modiin dhe Rehovot.

Zëdhënësi ushtarak i Houthit, Yehya Saree, tha se sulmi u krye me një raketë të re balistike hipersonike kundër një objektivi ushtarak izraelit në Jaffa.

”Ajo mbuloi një distancë të vlerësuar prej 2 040 kilometrash”, tha ai në një deklaratë televizive./  a.jor. ATSH

SHKARKO APP