Nga Ballkani në BE, përplasjet diplomatike të Edi Ramës

Kritikat ndaj BE-së dhe Francës në lidhje me shpërndarjen e vaksinës anti-covid, për kryeministrin Edi Rama janë të drejta. Në pamje të parë këto qëndrime të Ramës duken si një tabu në realitetin politik shqiptar, por historia e 7 viteve të fundit tregon një evoluim të këtyre fërkimeve. Edi Rama ngacmoi durimin e fqinjëve maqedonas, në atë kohë nën drejtimin e Nikola Gruevskit. Në korrikun e vitit 2014 shqiptarët protestuan në Maqedoninë e Veriut ndaj vendimit të gjyqësorit fqinj kundrejt 6 bashkatdhetarëve të dënuar për terrorizëm, pasi u shpallën fajtor për vrasjen e 5 maqedonasve në vitin 2012.

Këto zhvillime të brendshme në Maqedoninë e Veriut u trazuan nga deklarata e Ramës kur theksoi se ndodhën për shkak të moszbatimit të marrëveshjes së Ohrit. ”Ajo po ndodh këto ditë në Maqedoni meriton vëmendje, mature padyshim, por reflektim dhe madje të thellë gjithashtu. Marrëveshjes së Ohrit nuk i kanë dalë për zot veç dy palët që e përbëjnë Maqedoninë, maqedonasit dhe shqiptarët, por edhe garantët e asaj marrëveshje, miqtë dhe partnerët e besuar ndërkombëtarë. Dhe nëse maturia u duhet shumë dy palëve tona, reflektimi i thellë nevojitet të jetë trepalësh sepse as burgosja e përjetshme e 6 shqiptarëve as reagimi me flamur i një radikalizmi shqiptar që bie ndesh me interesat shqiptare nuk mund të justifikohen”, shprehej Rama. Kaq mjaftoi që në adresë të Ministrisë së Punëve të Jashtme Shqiptare të mbërrinte nota e parë e protestës.

Rama pati fërkime me fqinjin tjetër, Greqinë, vend me të cilin për një periudhë 3 vjeçare pati më shumë tensione se sa qetësi. Në verën e vitit 2015 Edi Rama zgjodhi që në koalicion të afronte çamët e PDIU-së duke larguar Vangjel Dulen që si elektorat ka minoritetin grek. Postimi në Facebook i një skice të vjetër të Athinës me minaren në krye të Akropolit dhe me dixhiturën se ky qytet ishte shpëtuar nga shqiptari Gjergj Dushmani, ishte kulmi i përplasjeve ndërmjet dy vendeve dhe sërish në adresë të Ministrisë sonë një notë tjetër proteste.

”Nuk di ta them unë pse duhet të mërziten fqinjët tanë kur u thuhet se në Athinën e një periudhe të caktuar flitej kryesisht shqip. Por di të them se unë nuk mërzitem fare kur më thonë se në Himarë flitet sot edhe greqisht dhe ju them se as e folura shqip në Athinën e djeshme nuk e bën Athinën një qytet shqiptar dhe as e folura greqisht sot në Himarë nuk ka për ta bërë kurrë Himarën një qytet grek”. Tensionet vijuan edhe me Beogradin, nga incidenti në ndeshjen e futbollit Serbi-Shqipëri, e deri tek deklaratat e vazhdueshme për një president të përbashkët të Tiranës dhe Prishtinës. Pas vendeve të rajonit, përplasjet e Edi Ramës kanë kaluar tashmë drejt perëndimit ku në optikën kritike të tij është vënë Bashkimi Europian për sa i përket menaxhimit të vaksinës anti-covid. /A2cnn/

SHKARKO APP