Nga Berisha, Rama dhe Meta, kreu i SPAK-ut Altin Dumani flet për dosjet politike

Në një takim me gazetarët në këtë fundvit, kreu i SPAK-ut Altin Dumani iu përgjigj një sërë pyetjesh lidhur me çështje tepër të ndjeshme përgjatë këtij viti politik në vend.  Duke komentuar vendimin e SPAK-ut për çështjen më të ndjeshme, atë për Sali Berishën, Dumani ka theksuar se vendimet e prokurorisë janë konfirmuar në të dyja shkallët e gjyqësorit. Në përgjigje të pyetjes nëse ka pasur qëndrime të ndryshme lidhur me kërkesën për “detyrim paraqitje” për kryetarin e PD Sali Berisha, sikundër edhe juristët janë ndarë nëse do duhej apo jo autorizim nga Parlamenti, Dumani komentoi veprimet që ka kryer SPAK.

“Nuk mund t’i japim Kuvendit kompetenca kushtetuese kur nuk i ka. E kemi diskutuar. Është diskutuar edhe me drejtuesin e prokurorisë. Kërkesa është lënë në fuqi nga të dyja shkallët, edhe ajo e parë edhe nga Apeli”.

Sa i përket sekuestrimit ndaj Monika Kryemadhit, apo hetimet ndaj Metës, Dumani tha: “Kontrollet tona janë instrument për të gjetur proven. Sa i takon Metës, është çështje ndaj të cilës po kryhen ende hetime dhe nuk kam një koment”.

Nga ana tjetër, Dumani premtoi “zhvillime të reja” edhe për ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetajn, i cili ndodhet ende në arrati në shtator të këtij viti. Dumani u pyet lidhur me vendndodhjen, ndërsa përgjigja ishte “Po hetojmë”.

Po ashtu kreu i SPAK-ut u pyet në lidhje me fazën në të cilën ndodhet hetimi për çështjen McGonial. “Ne nuk mund të japim asnjë informacion. Kemi pasur një kallëzues, z. Gazment Bardhi, të cilin e kemi informuar për gjithçka që ka kërkuar, pasi e kemi detyrim ligjor informimin e kallëzuesit. Por i kemi kërkuar të nënshkruajë mbi ruajtjen e sekretit hetimor dhe të mos bëjë publik informacionin e marrë”, u shpreh Dumani.

Në lidhje me hetimet e këtij viti, Altin Dumani tha: “Në 2023 kemi dyfishuar numrin e hetimeve proaktive. Vetëm për këtë vit ka 68 çështje të nisura kryesisht, duke mbajtur rekordin e 3 vjetëve SPAK. Çështjet të ndara, krim dhe korrupsion. Indiciet janë marrë nga mediat, deklaratat e politikanëve dhe burime të agjentëve të BKH”.

SHKARKO APP