Nga robotët shqiptar te inovacioni në Ballkan, Agjencia e Industrisë Kreative shpërndan çmimet për krijuesit e rinj


Dita Ndërkombëtare e Rinisë këtë vit u festua me një fokus të veçantë, duke vlerësuar rolin e të rinjve në industrinë krijuese. Në këtë kontekst, Bashkia Tiranë dhe Agjencia e Industrisë Kreative transformuan markatën e Pazarit të Ri në një hapësirë multifunksionale, ku aktivitetet e larmishme morën jetë.

Në Panairin e Industrisë Kreative, pjesë e “B40 Creative Industries Youth Awards, vizitorët patën mundësinë të eksploronin nga afër punimet e artistëve të ndryshëm, si dhe të njiheshin me robotët e parë shqiptarë. Aktiviteti tërhoqi të rritur dhe fëmijë, duke ofruar mundësi për të mësuar mbi teknologjinë, artizanatin dhe bizneset e ngritura nga krijues të rinj.

Në të njëjtën kohë, u zhvilluan tre panele diskutimi me ekspertë shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Diskutimet u përqendruan në rolin e të rinjve në industrinë krijuese si motor ekonomik, rëndësinë e inovacionit dhe ndikimin e teknologjisë në sektor.

Mbrëmja kulmoi me një ceremoni Gala, ku u ndanë çmimet për 10 kategori të ndryshme. Në këtë event të veçantë morën pjesë personalitete dhe profesionistë nga fusha e industrisë krijuese. Kandidatët, të cilët vinin nga vende të ndryshme të Ballkanit, ishin të rinj që kishin ndërtuar biznese inovative bazuar në ide krijuese.

“Jemi krenarë që në 1000 ditë kemi investuar në profesionet e së ardhmes, si ato të industrisë krijuese. Besojmë në potencialin e kësaj industrie për ekonominë dhe kemi arritur të ndikojmë pozitivisht në zhvillimin ekonomik përmes saj,” tha Drejtori i Agjencisë së Industrisë Kreative, z. Jonid Jorgji. Nga teknologjitë inovative deri te shpërblimet për sipërmarrjet më kreative dhe iniciativat sociale, çmimet u ndanë në vende të ndryshme të Ballkanit, nën ombrellën e rrjetit B40.

SHKARKO APP