Nga rrënojat te modeli europian, transformimi i shkollës “Jonuz Çarçiu” në Tregan
Falë mbështetjes së Bashkisë Elbasan dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, shkolla e re “ Jonuz Carçiu” në Tregan është shndërruar në një nga institucionet arsimore më moderne në zonë. E ndërtuar sipas standardeve europiane, ajo ofron ambiente bashkëkohore mësimore, laborator teknologjie, palestër, si dhe hapësira të dedikuara për zhvillimin dixhital dhe aktivitetet edukative.
Gjatë një vizite në këtë shkollë, kryetari i bashkisë Gledian Llatja, deputetja Evis Kushi dhe drejtoresha e Zyrës Vendore të Arsimit Vesa Lico panë nga afër kushtet dhe investimet e realizuara, duke u pritur nga stafi pedagogjik.
Në fjalën e saj, Vesa Llanaj Liço vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit mes shkollës dhe komunitetit.
“Ky kabinet është një provë shumë e mirë që, kur marrëdhënia e shkollës me komunitetin është e fortë, sjell rezultate konkrete. Ai është mundësuar falë një performance shumë të mirë të mësuesve, drejtuesve dhe vetë komunitetit, duke krijuar kushte edhe më të mira për arsimimin dhe edukimin e fëmijëve.”
Ndërsa deputetja Evis Kushi ndau emocionet e saj për transformimin e shkollës.
“Kur hyra në shkollë u emocionova, sepse e mbaj mend sa të vështira ishin kushtet dhe sa shumë e kërkonte komuniteti këtë investim.
Sot kjo shkollë është një realitet që mësuesit, nxënësit dhe prindërit e kanë merituar gjithmonë. Shkolla të tilla edhe në qendër të qytetit janë të rralla.”
Nga ana e tij, kryetari i bashkisë Gledian Llatja theksoi se investimet në teknologji janë tashmë një prioritet konkret për arsimin në Elbasan.
“Teknologjia është e ardhmja dhe për këtë arsye dua të falënderoj të gjithë kontribuesit që bënë të mundur ngritjen e këtij laboratori të TIK-ut. Kjo shkollë, e cila ishte e dëmtuar rëndë nga tërmeti, sot është rindërtuar nga e para falë bashkëpunimit me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, duke u kthyer në një ambient modern dhe dinjitoz për nxënësit dhe mësuesit.
Ne kemi nisur tashmë nga disa gjimnaze kryesore të qytetit, ku kemi vendosur laboratorë modernë teknologjie, por synimi ynë është që këtë model ta shtrijmë në çdo shkollë.
Nuk ka rëndësi nëse një nxënës ndodhet në qytet apo në zonat rurale, mundësitë duhet të jenë të barabarta për të gjithë.
Prandaj, duhet të përpiqemi që, së bashku me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe me gjithë aktorët e tjerë, të mundësojmë vendosjen e laboratorëve të teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në të gjitha shkollat tona. Kjo është rruga e duhur për të përgatitur fëmijët tanë për sfidat e së ardhmes dhe për t’u dhënë atyre aftësitë e nevojshme në një botë gjithnjë e më digjitale.”
Edhe mësuesi i TIK-ut u ndal te ndikimi konkret i këtij investimi.
“Më parë ishin të paktë nxënësit që dinin të përdornin kompjuterin. Këta nuk janë thjesht 12 kompjutera, por dritare drejt së ardhmes për ta.”
Përveç infrastrukturës mësimore dhe teknologjike, shkolla ofron edhe kabinetin e shërbimit psikosocial, i cili funksionon si dhomë burimore për nxënësit me aftësi ndryshe, duke garantuar një mjedis të qetë, gjithëpërfshirës dhe mbështetës për çdo fëmijë.

KOHA JONË SONDAZH

