Nga vendimi i Gjykatës te hetimi i Prokurorisë për videon, detaje për sherrin në Pallatin Mbretëror

Në 24 orët e fundit, zhvillimet për dramën mbretërore nuk kanë të sosur. Këtë të enjte Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesat për urdhër mbrojtje të bëra nga Elia Zaharia dhe Leka Zogu. Gjykata ka konfirmuar kërkesat respektive duke i urdhëruar të mos afrohen në distancë me të afërt se 5 metër nga njëri-tjetri.

Princ Leka mund të takojë vajzën e mitur në prani të dados. Elia Zaharia ka qenë prezente në gjykatë, ndërsa Leka Zogu ll është përfaqësuar nga avokati i tij. Ndërkaq Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për denoncimet ka nisur hetimet për dhunë në familje si dhe po kryen verifikime edhe për publikimin e videos në media. Sipas saj rezulton që ajo është publikuar në media para se të dërgohej në Prokurori.

Mbrëmë Policia e Tiranës dha qëndrimin e saj. ”Janë sekuestruar pamjet filmike, të cilat i janë përcjellë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Deklarojmë që kjo video nuk ka dalë nga strukturat e Policisë”.

Luljeta (Luli) Bitri, aktore dhe shoqe e Elia Zaharias, përshkruan durimin dhe fortësinë e Elias gjatë periudhës së turbullt që ajo po kalon. ”Bëhesh titull lajmi për shkak të dorës së atij burri, që ti e ke mbrojtur dhe mos e ke zbuluar tradhtinë e tij, duke fajësuar veten për mos-mjaftueshmërinë tënde për të lumturuar dikë që synon një tjetër”.

A ka mashtruar princ Leka për shkollimin dhe është me katër klasë shkollë siç Elia tha në videon rivale? Ish-ministri i Brendshëm i qeverisë teknike, Dritan Demiraj i ka dalë në mbrojtje Princ Lekës, ku thotë se ka qenë tek një nga akademitë ushtarake më të mira në botë.

”Për tre vite me radhë, Princi me shumë përkushtim, stërvitej çdo ditë nga 5 orë për të kaluar me sukses një nga Akademitë Ushtarake më të mira dhe të vështira në botë ‘Royal Military Academy Sandhurst, të cilën na bëri krenar pasi e përfundoi me shumë sukses”.

Ish-këshilltari i familjes mbretërore, Murat Basha ka zbuluar detaje nga pasuria e Princ Lekës. Basha tha se po ndërtohet një pallat pas hotel Dajtit. ”Prona kanë shumë. Disa të marra, disa të pamarra. Nuk kam ide shifrash, është në gjendje të rehatshme ekonomike, ka jetuar rehat, s’di të ketë probleme financiare. Di që po ndërtohet një pallat pas hotel Dajtit, e zonja ka marrë një pronë të dhuruar nga princi”.

Ai thekson se Princ Leka aktualisht jeton me qira dhe se pas përfundimit të procesit të divorcit do vendoset në Pallatin Mbretëror. Ndërsa sa i takon Elia Zaharisë dhe vajzës, të cilat jetojnë ende në Pallatin Mbretëror, më pas do të vendosen në një shtëpi tjetër, që sipas Bashës u është dhuruar nga Princi.

SHKARKO APP