Nga Vuthajt, Begaj: “Alpet Shqiptare janë ura jonë me historinë dhe identitetin kombëtar”
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë në manifestimin “Mirë se vini në Alpet Shqiptare – Vuthaj 2026”, ku vlerësoi rëndësinë e kësaj treve si një pikë lidhëse mes shqiptarëve, historisë dhe trashëgimisë kombëtare.
Në fjalën e tij, Begaj u shpreh se Alpet Shqiptare nuk përfaqësojnë vetëm një pasuri natyrore, por edhe një pjesë të rëndësishme të kujtesës, kulturës dhe karakterit të shqiptarëve. Sipas tij, në këto zona janë ruajtur ndër breza traditat, këngët, veshjet dhe zakonet që kanë ndihmuar në ruajtjen e identitetit kombëtar.
Kreu i Shtetit theksoi se vizita në Guci dhe Vuthaj është një rikthim tek rrënjët, tek gjuha, familja dhe kujtimet që lidhin njerëzit me vendlindjen, pavarësisht largësisë. Ai nënvizoi se kjo trevë ka qenë historikisht një qendër e rëndësishme e qëndresës, arsimit dhe kulturës shqiptare.
Begaj vlerësoi veçanërisht kontributin e komunitetit shqiptar të Plavës dhe Gucisë në ruajtjen e gjuhës dhe traditave, si dhe në zhvillimin e shoqërisë ku jetojnë. Ai përmendi edhe figurat historike të kësaj zone, të cilat kanë lënë gjurmë në historinë kombëtare.
Presidenti bëri thirrje për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, forcimin e lidhjeve mes shqiptarëve dhe krijimin e më shumë mundësive për brezat e rinj. Ai theksoi se identiteti kombëtar ruhet përmes familjes, gjuhës, këngës, valleve dhe zakoneve që trashëgohen ndër breza.
Gjatë fjalës së tij, Begaj vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit, paqes dhe integrimit evropian, duke theksuar se shqiptarët sot kanë më shumë mundësi për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.
Në përfundim të manifestimit, Presidenti u nderua me çmimin “Krenaria e Alpeve Shqiptare”, si vlerësim për angazhimin e tij në mbështetje të interesave kombëtare dhe shqiptarëve kudo që jetojnë.
Vizita e Begajt në Plavë dhe Guci përfshiu gjithashtu takime me përfaqësues të komunitetit shqiptar dhe autoritete lokale.
KOHA JONË SONDAZH

