“Ngërçi” në Këshillin Politik, ish-kreu i KQZ-së: Ndryshimet të mos bëhen të njëanshme, të ketë dakordësi mes palëve
Ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume i ftuar në studion e lajmeve në Fax Neës foli në lidhje me mosdakordësinë e palëve në Këshillin Politik për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Kume tha se palët po përplasen për koalicionet parazgjedhore, ndërkohë që presioni i ndërkombëtarëve të cilët kanë ndjekur me kujdes ndryshimet në Kodin Zgjedhor po shtohet.
Kume po ashtu bëri thirrje që palët politike të gjejnë një dakordësi mes tyre, që ndryshimet në Kodin Zgjedhor të mos jenë të njëanshme në zgjedhjet e 25 prillit.
“Mbledhja e sot e Këshillit politik ishte një ‘Deja Vu’ ku palët shpalosën pozicionet e tyre, por nuk arritën në dakordësi si do të pasqyrohet në Kodin Zgjedhor ndryshimet në Kushtetutë. Ky është ngërçi që ka stopuar punën në Këshillin Politik. Mazhoranca është e gatshme të rishikojë variantin që ajo ka propozuar duke këmbëngulur që të sjellë opozita jashtëparlamentare një rast nga vendet e BE-së që zbaton sistem propocional rajonal me lista të hapura në të njëjtën mënyrë siç opozita jashtëparlamentare kërkon që të ndërtohen aleancat para zgjedhore.
Opozita jashtëparlamentare ngul këmbë se nuk është në përputhje me kushtetutën dhe sipas saj është pasojë e përpjekjeve që bën mazhoranca për të fituar mandate në tavolinë. Problemi nuk arrin që të zgjidhen dhe ngërçi është i ulur totalisht këmbëkryq në Këshillin Politik.
Ajo që unë do të dëshiroja mos të ndodhte është që ndryshimet kushtetuese, të mos të realizohen vetëm nëpërmjet mundësive që ka mazhorancës së bashku me opozitën parlamentare pa pasur dakordësi për jashtëparlamentare. Palët politike duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët. Mendoj se presioni ndërkombëtar është vetëm duke u rritur që të gjehet zgjidhje mes të dyja palëve dhe për të mos shkuar në zgjedhjet e ardhshme të 25 prillit nëpërmjet ndryshimeve të njëanshme.
Në këtë kuptim palët nëse nuk duan, të detyrohen të gjejnë zgjidhje që ndryshimet të jenë të dakordësuara midis tyre. Dhe besoj që e gjitha ajo që bën problem ka të bëjë me aleancat parazgjedhore.”- tha Kume.