Ngjarja e 21 janarit, ÇBM dorëzon në prokurori dosjen ndaj Bashës

Padia e ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri, ndaj kreut të opozitës, Lulzim Basha është depozituar dje në prokurori. Lajmi konfirmohet nga organi i akuzës. Ministri Tahiri akuzon Bashën, kur ishte ai në këtë post, për “shpërdorim detyre” mbi ngjarjen e 21 janarit. Ministri Tahiri pretendoi dy ditë më parë në parlament se janë falsifikuar dokumentet e Gardës së Republikës mbi këtë ngjarje, duke implikuar dhe bërë fajtor kreun e opozitës, Lulzim Basha. Inspektimi në dokumentet e gardës është bërë nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme, i cili hetoi procedurat e ndjekura në dokumentacion mbi atë ngjarje dhe ku pretendohet se janë konstatuar shkelje të rënda.

Padia e ÇBM

Sakaq, shërbimi i Çështjeve të Brendshme në Ministrinë e Brendshme mbi padinë ndaj ish-ministrit Basha, në dy fletë të regjistrit të Gardës së Republikës, ka ngritur dyshime të forta se shënimet janë korrigjuar.  Duke iu bazuar kallëzimit, sipas SHÇB-së, rezulton i pasqyruar me shënim nga operatori i Gardës urdhri i dhënë nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ora 16.28: "Komunikoni me gjeneralin dhe të ngrihet helikopteri e të hedhë lëndë lakrimogjene mbi demonstruesit në Piramidë”.  Më tej, në bazë të dyshimeve të SHÇB-së, para korrigjimit fjala “lakrimogjenë” ka qenë “homogjenë”. Në dokument duket se fjala është e korrigjuar.  Një tjetër faqe e këtij libri i është dorëzuar si provë materiale nga SHÇB në organin e akuzës. Shënimi shkruan se, “Urdhërdhënësi, gjenerali, ora 14:54, urdhri: “Asnjë lloj zjarri pa zbatuar ligjin kundër demonstruesve”.  Edhe në këtë dokument dyshohet se ka korrigjim në frazë, pasi ka fjalë të mbivendosura në shënim. SHÇB dyshon sipas ekspertëve të tij, se para korrigjimit kjo frazë ka qenë, “asnjë lloj zjarri pa dhënë urdhër” dhe më pas i është shtuar “kundër demonstruesve pa zbatuar ligjin”.

Reagimi i Bashës

Sakaq, nga Kruja ku ishte dje me elektoratin, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i cilëson si shpifje të ulëta akuzat dhe padinë e Qeverisë ndaj tij. – “Shpifjet dhe akuzat e lodhura e të vjetra të planifikuesve të dhunës ndaj institucioneve, të të njëjtëve që sot kanë kriminalizuar institucionet, nuk mund të heqin vëmendjen nga akti kriminal i djeshëm i hedhjes poshtë të amendamenteve tona për uljen e çmimit të naftës dhe të energjisë. Çdo akrobaci, çdo përpjekje për t’i trajtuar si dele shqiptarët apo mediet e shqiptarëve, ka dështuar me turp. Nuk është gjë tjetër, veçse një përpjekje e dështuar për të ricikluar shpifje dhe akuza të vjetra dhe të lodhura, me vetëm një qëllim, që shqiptarët të harrojnë se Edi Rama dje, jo vetëm dështoi të mbante premtimin, por në mënyrë kriminale, kur ne i dhamë mundësinë e dytë ta mbante këtë premtim, e shkeli për herë të dytë, duke shkelur e poshtëruar edhe shqiptarët,” – theksoi Basha.

SHKARKO APP