Ngjarja e Gramshit, Partia e Lirisë: Krim institucional, hetim i plotë dhe transparent
Për helmimin e fëmijëve në kopshtin shtetëror në Gramsh, Partia e Lirisë duke e cilësuar një neglizhencë, papërgjegjshmëri dhe krim institucional, thuhet edhe se të tilla ngjarje vijnë edhe si pasojë e ”kontratave me mik” dhe ku ”kontrollet shtetërore për sigurinë janë vetëm në letër”. Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Arla Merja, bëri përgjegjëse autoritetet shtetërore lokale dhe qendrore për këtë ngjarje.
”Në një vend ku kontratat publike jepen me mik dhe kontrollet shtetërore për sigurinë janë vetëm në letër, siguria ushqimore është kthyer në një rrezik të përditshëm për qytetarët. Partia e Lirisë shpreh indinjatën më të thellë për ngjarjen e rëndë që ka ndodhur në qytetin e Gramshit dhe që ka tronditur mbarë opinionin publik, ku mbi 70 fëmijë të mitur janë helmuar si pasojë e ushqimit të kontaminuar të ofruar nga një kompani private kateringu në një institucion shtetëror – një kopsht që duhej të ishte një vend i sigurt për të vegjlit tanë”, u shpreh ajo.
Teksa renditi dhe mungesën e reagimit nga strukturat shtetërore, mungesën e masave dhe organeve ligjzbatuese, PL kërkoi reagim institucional dhe hetim të plotë dhe transparent. Ndërsa kujton se ky nuk është rasti i parë, drejtuesja e lartë e PL-së kërkoi edhe marrjen e disa masave të mënjëhershme.
”Hetim të plotë dhe transparent, të menjëhershëm, nga organet e drejtësisë për të zbuluar përgjegjësit institucionalë dhe kontraktorë. Ndërprerje të menjëhershme të kontratës me subjektin privat që ka ofruar ushqimin. Dorëheqje të menjëhershme të drejtuesve vendorë dhe të strukturave përgjegjëse, që kanë dështuar të garantojnë kontrolle bazë ushqimore. Rishikim të të gjitha kontratave të ushqimit në çerdhe dhe kopshte publike në mbarë vendin. Kjo është pasojë direkte e kapjes së shtetit, e kontraktimeve klienteliste dhe mungesës totale të kontrollit”, tha më tej Merja.
KOHA JONË SONDAZH

