Ngjarja e Librazhdit, IDP bën thirrje: Mediat të mos nxjerrin detaje që cenojnë jetën private

Për ngjarjen e Librazhdit, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, bën thirrje që të tregohet kujdes me detajet që nxjerrin mediat, rrjetet sociale mbi këtë rast, sidomos nga jeta private e 20-vjeçares. ”Zyra e Komisionerit tërheq vëmendjen e organeve mediatike për ushtrimin e veprimtarisë së tyre në funksion “të interesit më të lartë publik”, duke përmbushur me përgjegjshmëri, transparencë dhe etikë parashikimet e legjislacionit në fuqi dhe veçanërisht, dhënien fund të transmetimit, qarkullimit, publikimit apo shpërndarjes me çdo formë/mjet të të dhënave personale në cenim të të drejtës për jetë private”.

Njoftimi i plotë

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në cilësinë e autoritetit mbikëqyrës të legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale, si një e drejtë dhe liri themelore e njeriut, po monitoron me kujdes veprimtarinë e organeve mediatike dhe/ose portaleve online gjatë ditëve të fundit, në lidhje me cenimin e jetës private të qytetarëve.

Swiss Digital Desktop Reklama

Duke marrë shkas nga pasqyrimi mediatik i një ngjarjeje familjare në Librazhd, Zyra e Komisionerit vlerëson se publikimi i këtyre pamjeve dhe videove përbën cenim të jetës private me pasoja të rënda, të pariparueshme dhe të pakthyeshme e ku përveç dhunës fizike të ushtruar ndaj individëve të përfshirë në këtë rast, ata mund të përballen me dhunën mediatike, e cila për nga përmasat e pasojave është po aq e rëndë sa vetë aktet e dhunës të ushtruar ndaj tyre.

Swiss Digital Mobile Reklama

Zyra e Komisionerit, në referim të nenit 35 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe në përmbushje të detyrimeve të ligjit nr. 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar, kërkon nga subjektet e këtij sektori dhe/ose individë/entitete të tjera që përdorin mjete/forma të komunikimit masiv të jenë shumë të vëmendshëm përsa i përket informacionit personal/sensitiv të publikuar/shpërndarë apo detajeve të panevojshme për çështje që nuk përbëjnë dhe nuk i shërbejnë aspak “interesit publik”.

Ushtrimi i të drejtës së lirisë së shprehjes nuk është i pakufizuar dhe duhet realizuar e balancuar e në mënyrë proporcionale me të drejtat dhe liritë e tjera themelore të sanksionuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, apo në aktet ndërkombëtare ku vendi ynë është palë: Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut, Konventa 108 “Për mbrojtjen e individëve nga përpunimi automatik i të dhënave personale” të Këshillit të Evropës, etj.

Zyra e Komisionerit tërheq vëmendjen e organeve mediatike për ushtrimin e veprimtarisë së tyre në funksion “të interesit më të lartë publik”, duke përmbushur me përgjegjshmëri, transparencë dhe etikë parashikimet e legjislacionit në fuqi dhe veçanërisht, dhënien fund të transmetimit, qarkullimit, publikimit apo shpërndarjes me çdo formë/mjet të të dhënave personale në cenim të të drejtës për jetë private.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?