Ngjarjet më të rëndësishme politike, ekonomike dhe kulturore, në fotoalbumin javor të Ramës
Kryeministri Edi Rama ndau këtë mbrëmje fotoalbumin e javës që po mbyllet, me ngjarjet më të rëndësishme politike, ekonomike dhe kulturore në vend.
Kreu i qeverisë ndau në rrjetet sociale foto ku ishte i pranishëm në mbrëmjen e organizuar nga të rinjtë e Fondacionit “Arbën Xhaferi”, mendimtarit dhe politikanit të madh shqiptar, që siç u shpreh Rama, e ktheu patriotizmin nga një ndjenjë atdhetarie në një mision për vetëdijen institucionale të shqiptarëve të shekullit të ri.
I ftuar ishte edhe Ali Ahmeti, kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut si dhe anëtarë të qeverisë dhe personalitete të jetës publike.
Rama po ashtu ndau foto edhe nga Konferenca ndërkombëtare “Formësimi i së Ardhmes së GovTech”, ku Shqipëria mikpriti rajonin për të diskutuar revolucionin digjital si fuqi e re e mirëqeverisje.
Një tjetër moment i rëndësishëm gjatë aktiviteteve të javës ishte edhe takimi i nivelit të lartë ”Shqipëria 2030 në BE-Rruga e reformave”, me praninë e ambasadorëve të akredituar në Shqipëri, për procesin e thellimit të reformave të mirëqeverisjes, sundimit të ligjit dhe antikorrupsioni.
Rama theksoi se është përmbyllur një fazë e parë shumë e rëndësishme themelore për zbatimin e planit për integrimin europian Shqipëria 2030 në BE.
Rama ndau foto edhe nga takimi për “TRANSPARENT ALBANIA”, që sipas kreut të qeverisë është një portë e re e informimit publik dhe nivel i ri llogaridhënieje dhe informacioni mbi veprimtarinë e qeverisë.
Një tjetër takim që Rama ndau në fotoalbumin e javës ishte në shkollën e Hoteleri Turizmit në Tiranë. Sipas Ramës kjo shkollë, e cila tanimë është nën ombrellën e EHL, shkollës së famshme të Hotelerisë së Lozanës në Zvicër, do të përgatisë gjeneratën e re të profesionistëve të biznesit të mikpritjes, për Shqipërinë 2030. /j.p/