Ngjela: Ç’është Liria Individuale?
Nga Spartak Ngjela-
Ç’është Liria Individuale?
Liria Individuale është një gjendje mendore e cila të jep dinjitet dhe personalitet në shoqërinë ku ti jeton.
Mënyra me e mire për ta arritur këtë gjendje mendore të lirisë, është që ti vetë ta ushqesh atë.
Liria individuale u takon vetëm atyre që dinë të respektojnë veten.
Liria individuale nuk ka të bëjë me liritë e tjera.
Liria individuale është personaliteti yt, figura dhe puna jote, dhe çmimi i saj është i shtrenjte, sigurisht.
Duhet ta dimë se çmimi i lirisë ngaherë i shtrenjtë është, por nuk blehet me para. Liria individuale fitohet me dinjitetin tënd personal që të jep personalitet në shoqërinë ku ti jeton.
Liria, për atë që nuk e njeh dhe nuk e ndien lirinë, është frikë.
Pse, ju mendoni që skllavi qëndron si skllav i dikujt dhe punon për të, pse ai e ka detyruar me forcë që ta ketë skllav? Jo. Skllavëria është sistem i brendshëm i individit që në histori shkoi e u bë edhe si një sistem shoqëror.
Sepse njeriu i lirë ka një çmim që atij i duhet ta paguajë përditë. Dhe kurrë mos e mendoni që liria jote është një çmim që paguhet në para. Lira individuale është forcë shpirtërore. Dhe kjo forcë sigurisht që ka çmimin e saj brenda teje.
Por, kjo forcë është guximi shpirtëror i njeriut të lirë. Dhe, pikërisht kjo, në fakt, është liria e brendshme që po e arrite, ajo të sjell intelektin e lartë të të menduarit, por edhe dinjitetin personal.
Intelekti dhe guximi individual të japin lirinë individuale, kurse liria individuale të jep dinjitetin, forcën, karakterin dhe ndershmërinë e njeriut të drejtë.
Individi që nuk e ka arritur lirinë e tij të brendshme individuale është ende njeriu që jeton me konfliktet e tij të brendshme.
Konfliktet e brendshme lindin e zhvillohe brenda teje si pasojë e mungesës së lirisë individuale.
Koha nuk ndryshon, ajo është e njëjtë ngaherë, dhe ndryshimi është yti. Kurse e përgjithshmja shoqërore, sado forcë të ketë, njeriun e lirë nuk e kthen dot në skllav.
Spartak Ngjela
27 tetor 2024