Ngjela: Korrupsioni shtetëror nuk ka jetë pa krimin e organizuar, duan të kapin tregun dhe tenderat
Në një intervistë për Ora News, avokati Spartak Ngjela u shpreh se opozita bën mirë që çon në prokurori tenderat, pasi nuk denoncohen në rrugë krimet.
Referuar edhe ngjarjes së sotme lidhur me arrestimin e një personi të lidhur me atentatin ndaj prokurorit Arben Ndoj, Ngjela tha se një pjesë e prokurorisë ka qenë e lidhur më krimin.
Spartak Ngjela: Tenderat do të vazhdojnë, janë të ligjshëm apo nuk janë të ligjshëm, atë do të vërtetojë prokuroria. Opozita shumë mirë ka bërë që e ka çuar në prokurori. Nuk denoncohen në rrugë krimet.
Një pjesë e prokurorisë ka qenë e lidhur më krimin në një masë të caktuar, se si dilte krimi nga burgu. Prandaj ka filluar Vettingu dhe do të fillojë goditja penale. Prandaj nga ky dyshim nuk përjashtohet askush, përveç atyre që kanë kaluar Vettingun. Nëse krimi i organizuar nuk kap drejtësinë, vdes.
Çfarë po ndodh tani? Tani jemi drejt pastrimit, i cili ka ndaluar këto dy muaj. Unë ju them që në korrik do të kemi rezultate të reja.
Korrupsioni shtetëror nuk ka jetë pa krimin e organizuar. Kjo do të thotë që duhet të kapësh tregun, tenderat. Korrupsioni ka qenë prezent në Shqipëri. E konfirmuar nga shërbimet e huaja.