Ngricë e borë në të gjithë vendin. Situatë më e rënduar në Dibër, Korçë, Pukë e Librazhd
Temperaturat e ulëta që përfshinë vendin gjatë natës sollën reshje dëbore në disa zona malore në veri dhe juglindje të vendit, ku në disa akse duhen përdorur zinxhirë.
Në Pukë trashësia e dëborës në qytet arriti deri në 12 cm megjithatë nuk raportohen probleme.
Në Dibër, në lartësi mbi 800 m trashësia e dëborës shkon ne 30 cm, ndërsa ne qytetin e Peshkopisë 15 cm. Në disa zona është ndërprerë energjia elektrike për shkak të dëmtimit të rrjetit elektrik nga erërat e forta.
Ne qytetin e Bulqizës trashësia e borës ka shkuar në 10 cm, ndërsa në njësite administrative nga 15 cm deri ne 30 cm. Në aksin rrugor Bulqizë-Peshkopi, ka prani ngricash por vetëm në disa segmente rekomandohet përdorimi i zinxhirëve.
Në qarkun e Elbasanit, reshje dëbore ka pasur në malësitë e Librazhdit,Përrenjasit e Elbasanit, ndërsa ne Stebleve të Librazhdit, trashësia e dëborës ka shkuar në 25 cm, ndërkohe që rruga nacionale Librazhd-Peshkopi e kalueshme me zinxhirë në disa segmente të saj. Si pasojë e reshjeve janë raportuar probleme edhe me mungesën e energjisë elektrike në Përrenjas.
Reshjet e borës vazhdojnë në zonën e Dardhës ku trashësia e borës ka arritur 20 cm ndërsa era vështirëson hapjen e rrugës. Aktualisht situata paraqitet e vështirë nga km 9-12 në segmentin Korçë – Dardhë ku mund të kalohet vetëm me zinxhirë. Në aksin aksin rrugor Pogradec-Korçë ndodhi një aksident ku një mjet i tonazhit të rëndë për të shmangur përplasjen me një tjetër mjet që ka kryer një parakalim të gabuar dhe ka rrëshqitur pranë një karburanti
Në Durrës deti shtatë ballë vështirësoi lundrimin ndërkohë që porti i Barit është mbyllur dhe si pasojë 2 tragetet e linjës Durrës-Bari nuk kanë mundur të futen në port e të zbarkojnë udhëtarët e mjetet. Edhe SuperFast i linjës Igumenice-Bari nuk është futur në portin që do të qëndrojë mbyllur deri ne një urdhër të dytë duke bllokuar dhjetëra udhëtarë.
Edhe në Vlorë gjatë natës dëbora ka rënë në qafën e Llogorasë por nuk raportohen probleme. Ndërkohë fuqia e detit ka qenë deri në 5 ballë ne det të hapur, duke u përmirësuar në orët e para të ditës. Tragetet e linjës Vlorë Brindisi ditën e sotme e kanë pushim dhe nuk lëvizin nga kalata e portit.