Ngrihet akuzë ndaj ish-deputetit të PD

Ish- deputetit të Partisë Demokratike Sami Gjergji, i komunikohet akuza e “mashtrimit me kredi”.

Lajmi konfirmohet për ABC News nga burimet zyrtare pranë njësisë së task- forcës në prokurorinë e Tiranës, sipas të cilëve, ish i zgjedhuri nuk e ka pranuar akuzën…

Mësohet se nga hetimet disamujore dhe bazuar në materialin kallëzues të njërës prej bankave të nivelit të dytë në vend, prokuroria i ka komunikuar akuzën e mashtrimit me kredi, biznesmenit të vezëve, Sami Gjergji.

Sipas të dhënave të dosjes, thuhet se në vitin 2009, ish- deputeti Gjergji ka marrë një kredi me vlerë 1.7 milion euro.  Për këtë kredi, mësohet se biznesmeni-deputet ka lënë si garanci hipotekore tre objekte, të vlerësuara nga ekspertët e bankës me një vlerë prej 5 milionë euro.

Banka e ka miratuar kredinë dhe Sami Gjergji e ka tërhequr shumën.

Hetuesit thonë se biznesmeni nuk ka shlyer këstet e pagesës, duke detyruar bankën, që gjatë këtij viti të kërkojë ekzekutimin e vendimit për marrjen e kolateralit të lënë nga Gjergji.

Por nga shitja e tyre dhe vlerësimi i bërë nga ekspertët e bankës, ka rezultuar se këto objekte nuk kapin shumen e kredisë së marrë nga Gjergji, ndaj dhe banka ka ngritur pretendimin se ish- deputeti e ka mashtruar.

Ky pretendim është kundërshtuar nga vetë biznesmeni.

Sipas arsyetimit të ish-deputetit, vlerësimin e kolateralit e kanë bërë ekspertët e bankës, ndaj ai nuk mund të mbajë përgegjësi penale për uljen e çmimit të pronave të lëna si garanci.

Sipas akuzës, është provuar se Sami Gjergji gjatë dorëzimit të dokumentacionit në bankë për marrjen e kredise, ka vënë ne dispozicion dhe një shkresë ku thuhet se nuk ka detyrime ndaj personave të tjerë.

Por, në të vërtetë ka rezultuar e kundërta dhe ai ka shlyer këto detyrime me paratë e përfituara nga kredia.

Hetuesit thonë se ndaj ish-deputetit Gjergji mund të ngrihet edhe akuza e “falsifikimit të dokumenteve” derisa banka të sqarojë gjithçka për kontratat orgjinale të miratimit të kredisë./ABC

SHKARKO APP