Nikolla përuron palestrën për fëmijët e “Zyber Hallullit”

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla vizitoi sot, shtëpinë e fëmijës “Zyber Hallulli” ku prezantoi nismën “Të festojmë së bashku” dhe përuroi terrenin e ri sportiv për këta fëmijë.

Në kuadër të kësaj nisme, nxënësit e gjimnazit të Tiranës, “Qemal Stafa” u dhuruan fëmijëve të shtëpisë “Zyber Hallulli”, dhuratë në ndryshme.

“Ky është rasti i Tiranës, por kudo në Shqipëri, shkollat po zhvillojnë aktivitete duke shkëmbyer dhurata, për t’ju gjendur pranë njëri-tjetrit dhe fëmijëve që kanë më shumë nevojë në këto ditë festash”, tha Ministrja Nikolla.

Gjithashtu, falë bashkëpunimit të MAS, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe kompanisë “Kastrati”, për këta fëmijë është ndërtuar një palestër, ku ata mund të luajnë apo të merren me aktivitete fizike.

Ministrja Lindita Nikolla së bashku me fëmijët e kësaj shtëpie, përuruan palestrën e ndërtuar sipas të gjitha standardeve.

Ministrja vlerësoi partneritetin publik-privat në shërbim të fëmijëve e nxënësve dhe shprehu mbështetjen e institucionit që ajo drejton për bashkëpunime të tjera në të ardhmen.

“Krijimi i këtij terreni sportiv është një mundësi më shumë për këta fëmijë për t’u argëtuar e për t’u marrë më aktivitete sportive. Por, detyra jonë është që të kujdesimi çdo ditë për jetën e tyre dhe jo vetëm në ditë festash”, tha Lindita Nikolla.

Në prag të atmosferës festive të fund vitit,  Qeveritë  e Nxënësve në institucionet arsimore parauniversitare në të gjitha qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë janë bërë  nismëtare të  sensibilizimit të nxënësve nëpërmjet përgatitjes së dhuratave për realizimin e nismës “Të festojmë së bashku”.

Tashmë janë krijuar lidhje midis shkollave brenda një Drejtorie Arsimore ose Zyre Arsimore për të festuar së bashku përmes programeve artistike, shkëmbimit të dhuratave e kartolinave për të krijuar mundësinë e njohjes dhe shoqërizimit të nxënësve me njëri tjetrin, duke i ndihmuar e qëndruar pranë edhe fëmijëve që janë në nevojë. 

Partnerë kryesorë të realizimit të kësaj nisme të iniciuar nga vetë fëmijët janë bërë edhe mësuesit, Bordi i  Prindërve,  komuniteti dhe pushteti vendor.

SHKARKO APP